“DokuFest” çel siparin më 5 gusht, në edicionin e tij jubilar të 15. Eventi më i rëndësishëm i kinemasë në Ballkan vjen me një temë të ndjeshme, korrupsionin, nëpërmjet 238 filmave konkurrues.
“Ne të gjithë e dimë se ka shumë korrupsion. Nëse mund ta shfrytëzojmë festivalin, si një vend ku mund të flitet për këtë fenomen, unë mendoj se është e mjaftueshme”, tha Veton Nurkollari, drejtor artistik i “DokuFest”.
“DokuFest” vjen si një paketë e pasur me ekspozita, koncerte muzike apo festivale fëmijësh.
“Kemi programin e koncerteve muzikore, konferencën e teknologjisë, që sivjet shënon edicionin e tretë. Programi i paneleve të diskutimit, i ekspozitës së fotografisë, si dhe programi i DokuKids-it, i festivalit të fëmijëve”, tha Nita Deda, drejtore e “DokuFest”.
Ky festival tanimë është shndërruar në traditë dhe si i tillë, ai nuk i përket vetëm Kosovës, por shndërrohet në një vendtakimi kulturor ndërmjet artistëve dhe njerëzve të komunikimit.
“Sot nuk është Dokufesti që ka nevojë për mbështetjen e institucioneve publike apo të organizatave. Unë besoj që sot janë institucionet publike, e konkretisht Ministritë e Kulturës së të dyja vendeve, që kanë nevojë për Dokufestin, i cili është një model kulturor, që tregon se është edhe një motor social njëkohësisht”, u shpreh Mirela Kumbaro, ministre e Kulturës në Shqipëri.
Festivali do të mbyllet më 13 gusht, duke i kthyer në destinacione kryesore kinematë e hapura të Prizrenit, kinemanë përbri lumit dhe mbi kalanë e qytetit.
/ Top Channel