Kinematë në Kinë po rihapen pasi ishin mbyllur për gjashtë muaj për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, shkruan BBC.
Administrata e Filmit të Kinës ka thënë se kinematë në zonat “më pak të rrezikshme” mund të hapen sërish nga sot.
Pasi pjesa më e madhe e Kinës tash klasifikohet si e rrezikut të ulët, pritet rihapja e kinemave së shpejti.
Kinematë në Kinë u goditën rëndë nga mbyllja që nisi në janar, ku shumë prej tyre u detyruan të shpallnin falimentimin.
Kinematë që do të rihapen do t’i përmbahen rregullave strikte, përfshirë kapaciteti në sallë ku do të jetë 30 për qind dhe po ashtu numri i filmave të shfaqur do të zvogëlohet për 50 për qind. Ndoshta ndryshimi më i madh është se një film nuk mund të jetë më i gjatë se dy orë.
Do t’u kontrollohet temperatura konsumatorëve dhe maskat do të mbahen gjatë gjithë kohës, si nga konsumatorët ashtu edhe nga stafi.
Biletat duhet të blihen online dhe duhet ulur së paku 1 metër larg njëri-tjetrit.
Sipas kufizimeve nuk do të lejohet ushqim e as pije në kinema. Kjo do të jetë goditje e rëndë për të hyrat e kësaj industrie.