Gjatë pushimeve për Ditën Kombëtare të sapopërfunduara, industria kineze e filmit pati një rimëkëmbje, ndërsa të ardhurat e brendshme arritën mbi 3.95 miliardë juanë (585 milionë dollarë) nga 1 deri më 8 tetor, bën të ditur Rrjeti i Informacionit të të Dhënave të Filmit i Kinës.
Sipas revistës “Variety”, fundjavën e kaluar të ardhurat nga shitja e biletave të kinemave në Kinë arritën gjithsej në 68 milionë dollarë, duke kaluar përsëri Amerikën e Veriut, ku kinematë fituan më pak se 9.5 milionë dollarë.
Filmi patriotik “Populli im, Atdheu im!” kryeson në listën e të ardhurave, duke fituar 2.15 miliardë juanë (318.6 milionë dollarë) deri më 11 tetor. Ai tejkaloi filmin “Iriqi Sonic” të “Hollivudit”, duke u bërë filmi i katërt për nga vlera e fitimeve këtë vit globalisht. Kjo tregon shkallën e rimëkëmbjes së tregut kinez pas shpërthimit të pandemisë së koronavirusit dhe zhvillimin e shpejtë të prodhimeve kinematografike vendore.
Ndërsa adhuruesit e filmit po kthehen në kinema dhe po shfaqen më shumë filma të suksesshëm nga ana komerciale, sivjet Kina pritet ta kalojë ShBA-në për të ardhurat nga shitja e biletave të kinemave, duke u bërë tregu më i madh i filmit në botë.