Këtë të enjte, 8 dhjetor nis të shfaqet në kinema Cineplexx filmi i ri shqiptar “Hije” i Jotti Ejlli.
Një e vërtetë apo histori e trilluar?! Kufiri mes tyre është aq i hollë sa në mes ngjarjet rrokullisen me shpejtësi. Premiera në ekranin e kinemasë vjen për publikun më datë 8 dhjetor dhe në role janë emra të njohur aktorësh, por dhe të rinj. Në filmin me skenar dhe regji nga Jotti Ejlli interpretojnë aktorët Alfred Trebicka, Genti Kame, Sokol Angjeli, Eglantina Ceno, Kastriot Shehi, Antonio Kowdrin, Kol Kunora, Klodian Hoxha, etj. Regjisori i filmit Jotti Ejlli pohon se filmi “Hije” ngre pikëpyetje të mëdha mbi të vërtetat e tmerrshme, që mbahen fshehur, që herë pas herë përcakton fate njerëzish. Ngjarja e vrasjeve të disa personave ka tronditur një qytet të vogël. Një grup me të shkuar kriminale është eliminuar brenda natës. Një prokuror heton mbi çështjen, duke pyetur të vetmen dëshmitare, që është pjesë e ngjarjeve. Gjithçka duket sikur ka ndodhur për motive të dobëta xhelozie. Por e vërteta që kurrë nuk do kuptohet, është komplet e kundërt. Regjisori Ejlli, i cili pas disa ditësh prezanton filmin artistik “Hije” tregon se shkrimi i skenarit ka marrë shtysë nga realiteti. “Ngacmimi është realiteti i përditshëm në të cilin jetojmë. Duke qenë se kam jetuar për një kohë të gjatë jashtë Shqipërisë më bën të shikoj këtë realitet në mënyrë më të ftohtë. Nëse duhet të ngre një kritikë mbi realitetin shqiptar do të thosha që është heshtja. Nëpërmjet heshtjes përcillet dhe një mohim i së vërtetës, që realisht të gjithë e dinë po në një farë mënyrë nuk duan ta shprehin apo nuk duan të ngatërrohen. Dhe pikërisht kjo ishte ajo që më ngacmoi të nisja të shkruaja një skenar të tillë”, tregon regjisori për filmin “Hije”.
Puna me filmin “Hije” dhe përzgjedhja e aktorëve
I gjithë filmi është një histori, që ndodh brenda një nate në një qytet të vogël jashtë Tiranës. Regjisori tregon se është xhiruar në Lezhë dhe Shëngjin dhe filmi është një reflektim mbi të kaluarën, duke ndjekur ngjarjet që ndodhin rreth nesh në ditët e sotme. “Historia vërtitet mes 4 personazheve, që në të kaluarën kanë qenë pjesë e një bande, por në ditët e sotme ndodhen në poste të ndryshme në shoqëri. Një deputet, një efektiv policie, një pronar i një pike bastesh dhe një bastexhi. Ky grup është eleminuar brenda natës dhe një inspektor po merr në pyetje të vetmen dëshmitare okulare, bashkëshorten e njërit prej tyre”, tregon regjisori Jotti Ejlli për filmin “Hije”. Me aktorë të njohur dhe të rinj në role, regjisori Ejlli ka realizuar filmin e tij të parë artistik me metrazh të gjatë, pasi deri më tani ka qenë i fokusuar në filmin artistik me metrazh të shkurtër, ku numërohen disa tituj. Për aktorët ai tregon se puna më e madhe që është munduar të bëjë në film ka qenë me ta. “I kam menduar për t’u përshtatur sa më mirë karaktereve të personazheve. Duke qenë se që në skenar kam qenë i qartë mbi karakteret që doja të kisha, kam bërë një përzgjedhje të kuruar, mes personazheve të njohur me të cilët kam pasur nderin të punoj, si dhe me personazhe të cilët dalin për herë të parë përballë publikut, por që kanë surprizuar me performancën e tyre”, vijon të tregojë për filmin skenaristi dhe regjisori. Jotti Ejlli që është i njohur si autor i disa filmave me metrazh të shkurtër, si “Dinner time”, “All in”, përmendim këtu dhe filmin “Rosso Fuoco” që është realizuar në Itali dhe që ka pasur ndikim në publik dhe festivale filmi ku është prezantuar, ndërkohë që në Shqipëri ka bashkëpunuar me disa produkte televizive. Filmi “Hije” është një produksion indipendent me buxhet i mbështetur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe Sae Institute Milano.
Trailer zyrtar i filmit Hije
Marre nga Sot