Ambasada e Rusisë në Tiranë thotë se është e gatshme që të sjellë në Shqipëri vaksinën anti Covid-19 që ka prodhuar ky vend “Sputnik V”.
Selia Diplomatike i përgjigjet këshilltarit të kryeministrit Edi Rama, Endri Fuga, në një postim në Twitter, ku Fuga ankohet se Bashkimi Europian ka lënë jashtë gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.
“I nderuar z. Endri Fuga,
Ju bëjmë me dije se Fondi Rus i Investimeve Direkte (https://rdif.ru/Eng_Index/) është autoruzuar të zhvillojë negociata me vendet, të cilat janë të interesuara për të blerë vaksinat kundër COVID-19. Nuk kemi dyshime se Rusia është e gatshme të sjellë vaksinën e saj “Sputnik-V” edhe në Shqipëri. Vaksinimi me “Sputnik-V” tashmë filloi në Rusi dhe në Argjentinë, ndërkohë më shumë se 50 vende kanë aplikuar për të blerë 1,2 miliard dozë të preparatit. Në çdo rast, e përsërisim informacionin e postuar më parë për karakteristikat dhe avantazhet e saj në krahasime me një serë vaksinash të tjera”, i shkruan Ambasada ruse Fugës.