Një sasi lënde plasëse ka shpërthyer në mesnatë, në pjesën e jashtme të banesës së gazetarit Elidon Ndreka, në Lezhë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:30, në fshatin Balldre dhe për fat të mirë nuk ka persona të lënduar, por vetëm dëme materiale.
Sipas policisë, një automjet është filmuar nga një kamera sigurie, ku ka zbritur një person dhe ka vendosur lëndën plasëse dhe më pas është larguar nga banesa e gazetarit të Neës 24.
Gazetari është shprehur se ai dhe familja e tij nuk ka pasur konflikte apo debate me ndokënd dhe nuk dyshon tek ndonjë person që njeh.
“Nuk di të drejtoj gishtin tek një persona apo disa individë të ndryshëm, se nga kush mund të jetë kryer por shpresoj që policia të zbardhë dhe ti shkojë deri në fund ngjarjes.
Unë prej vitesh ushtroj profesionin e gazetarit, dhe e vetmja indice mund të jetë puna që bëj. Por nuk di të drejtoj gishtin. Kjo është një ngjarje e rëndë. Unë jetoj në banesë me prindërit, bashkëshorten dhe dy vajzat. Tronditja ishte e madhe, vajza filloi të qante pasi shpërthimi ishte goxha i rëndë. Shpresoj që drejtësia ta zbardhë. Kam besim të plotë që do të zbardhet në bazë të provave dhe nga kamerat e sigurisë. Janë sekuestruar pamjet filmike”, tha gazetari.
Ndërkohë, forcat e Policisë dhe grupi hetimor po vijon hetimet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.
Kujtojmë se dy vite më parë u kërcënua edhe banesa e gazetares Klodiana Lala, së cilës iu qëllua shtëpia e prindërve me disa plumba.