Ambasadori i OSBE-së në Tiranë , Berndt Borchard gjatë fjalës së tij në tryezën e “Forumit të Mediave” u ndal tek zhvillimi i platformave on-line, ndërsa vuri theksin tek informacionet që ato përcjellin. Ai theksoi se disa platforma abuzojnë mbi lirinë e të shprehurit duke shpërndarë informacione të pavërteta tek opinioni publik.
Gjithashtu Bernd Borchard nuk harroi të përmendte edhe rastet kur gazetarë e mediave janë kërcënuar për shkak të detyrës. Sipas tij, OSBE-ja nuk i ka harruar ato raste, por shtoi se institucioni që ai përfaqëson është në krah të gazetarëve, ndërsa i ftoi ata të mos ndalen në misionin e tyre në raport me të vërtetën.
“Media on-line është zhvilluar shumë kohët e fundit në krahasim me vitet e kaluara dhe kemi vënë re një zhvillim të madh të medias online. Kemi projektet tona lidhur me median. Sa i përket progresit kanë qenë çështje të cilat duhet të adresohen dhe është e rëndësishme që duhet t’i jepet mbështetje profesionalizmit. Kemi thirrur ekspertët për të dhënë rekomandimet për këtë çështje sa i takon ndikimeve të medias, ka disa faqe në internet që përdorin informacion të ndikueshëm, të anshëm dhe të pavërtetë dhe pronarët e tyre nuk dihen se kush janë. Ne nuk mund të bëjmë sikur kemi harruar disa raste që gazetarët janë kërcënuar dhe ne e kemi ndjekur nga afër këtë çështje.
Këto çështje janë të rëndësishëm për t’u ndjekur dhe janë shumë e rëndësishme ndryshimet në ligjin mbi median. Kemi përfaqësues të medias së lirë për të zhvilluar më në detaj dhe do japim mbështetjen tonë për profesionistët e medias. Inkurajojmë gazetarët të bëjnë më të mirën e tyre dhe ne kemi dhënë rekomandimet e tyre sa i përket medias, mbi të gjitha mbi transparencën dhe ndaj profesionalizimit në media. Këto janë disa çështje që nuk kanë të bëjnë vetëm me qeverinë, por janë detyrat që janë edhe për gazetarët”-tha ai.