Aktorja Ama Andrea reagoi e revoltuar pak ditë më parë kur kishte marrë një telefonatë anonime dhe personi që ishte prezantuar si personel i spitalit ‘Shefqet Ndroqi’ i kishte kërkuar të mos dalë nga shtëpia pasi ka rezultuar me covid-19.
Aktorja Andrea, në një lidhje live me ‘news 24’, e ka cilësuar këtë telefonatë si një ‘shaka pa kripë’, ndërsa tha se një gjë e tillë u ka ndodhur edhe personave të tjerë publikë.
“Këtë lloj shakaje pa kripë e kanë bërë edhe me të tjerë, mjafton të kenë një numër të një personi publik dhe e bëjnë.
Kjo nuk është shaka, sidomos në një situatë të rënduar, shaka të tilla të dëshpërojnë për mentalitetin në të cilin jetohet. Ata prezantohet sikur punojnë në institucion shtetëror dhe thotë ke dalë pozitiv, duket që është shaka se ka të qeshura nga mbrapa. Ai person që e bën është injorant, agresiv. Unë e kam bërë testin covid dhe dola negativ, por ka kaluar shumë kohë, pra nuk përkon me këtë periudhë”, tha Andrea.