“25 gërshetat” kënga shqip me të cilën ajo fitoi zemrat e të gjithëve, e ka bërë mjaft të dashur për publikun shqiptar, këngëtaren greke, Glykeria.
Ikona e muzikës greke ka mbërritur në Tiranë për koncertin që do të mbajë mbrëmjen e sotme në Amfiteatrin pranë Liqenit të Tiranës.
“Qyteti është i mrekullueshëm! Ju falenderoj që më dhatë mundësinë ta vizitoja! Ndodhemi që dje këtu dhe mikpritja që na është bërë është shumë e ngrohtë. Darkuam në një restorant ku njerëzit erdhën dhe na përshëndetën. Patëm rastin të vizitojmë qytetin i cili ka ndryshuar shumë dhe është i mrekullueshëm. E falënderojmë shumë kryebashkiakun që na priti në zyrë për të gjithë mikpritjen, sepse gjetëm një njeri të ri në moshë, shumë dinamik dhe i prirur për t’u marrë me të gjitha çështjet aktuale të qytetit”, tha mes të tjerash këngëtarja greke.
E shoqëruar nga një bandë prej 14 muzikantësh, drejtuar nga kompozitori dhe muzikanti shqiptar Dasho Kurti, i cili është dhe koncert maestër i Janis Parios e Jorgo Dallaras, artistja është pritur edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Kënga, të cilën Glykeria e interpretoi në stacionin televiziv “Mega”, është e risjellë nga artisti shqiptar, Dasho Kurti, i cili e shoqëroi këngëtaren teksa ajo këndonte “25 gërsheta t’i numërova pa fjeta”.