Ardit Gjebra ka bërë një njoftim të ri për ‘Kënga Magjike’, duke bërë me dije se festivali do shpërblejë të gjithë artistët që arrijnë në finale dhe sigurisht fituesin, me një vlerë monetare të konsiderueshme.
“Interesimi i artistëve për festivalin magjik na ka prekur. Edhe pse në një situatë pa aktivitete, përsëri dëshira për të investuar për dashurinë e tyre, këngën është impresionuese. Ndaj, në shenjë mirënjohjeje, produksioni i “Kënga Magjike” ka vendosur që për çmimin e parë të festivalit të japë 500.000 lekë, ndërsa për 19 finalistët e tjerë, nga 200.000 lekë secilit. Është ky një solidaritet me artistët, për të mbajtur në këmbë magjinë e këngës shqipe”, ka shkruar gazetari i njohur në postimin që ka realizuar.
Festivali ‘Kënga Magjike’ këtë vit do realizohet duke nisur më 21 mars tek ‘E diela shqiptare’ me prezantimin e çdo konkurrenti dhe në 29 maj pritet të mbahet finalja e madhe.