Në vitin 2020, festivali i përvitshëm “Kënga Magjike” do të mungojë. Në një postim në Instagram, producenti Ardit Gjebrea njoftoi se festivali do të rikthehet në pranverën e vitit 2021.
“Kënga Magjike në 2020-n – pushim,” shkruan Gjebrea. “Në pranverën e 2021-shit, rikthehemi për t’u dhënë jetë hiteve të verës, për më shumë ritëm dhe ngjyra! Ndërkohë ‘E diela shqiptare’ me fillimin e sezonit shtator 2020-korrik 2021 për rrjedhim vjen e pasur në programin e saj. Ja, kështu i filluam planet në këtë Vit të Ri.”
Postimi i Ardit Gjebreas me gjasë i ka gjetur të papërgatitur ndjekësit besnikë të “Këngës Magjike”, por sidoqoftë duket se është një vendim i mirëmenduar për shumë arsye.
Së pari, dhjetori, koha kur organizohet ‘Kënga Magjike’, është një periudhë e ngjeshur me aktivitete, ku një ndër ta është edhe “Festivali i Këngës”. Spostimi i “Këngës Magjike” në pranverë krijon një balancë të aktiviteteve muzikore në vend.
Së dyti, duke qenë se këngët e festivalit dorëzohen në shtator, pra në vjeshtë, detyrimisht që ka një lloj mbizotërimi të baladave. Kompozitorët dhe artistët, të cilët i kanë lënë këngët ritmike pas në verë, priren drejt baladave dhe këngëve me tematikë “të trishtë”. Kësisoj periudha e pranverës duket e përkryer qoftë për larmishmërinë e këngëve, aq edhe për promovimin e hiteve të verës.
Së treti, vlen të përmendet edhe kostumografia, e cila sigurisht që përshtatet me ngjyrat e stinës. Organizimi i “Këngës Magjike” në pranverë do t’u japë mundësinë artistëve dhe dizajnerëve që të paraqesin më mirë punën e tyre kreative, pa qenë nevoja që të qëndrojnë gjithnjë te ngjyrat dhe copat tipike të dimrit.
Së katërti, theksojmë edhe kushtet e Pallatit të Kongreseve, që pavarësisht dëshirës së organizatorëve për të krijuar një ambient sa më të këndshëm pune, mbetet një godinë e vjetër. Gjatë pranverës, temperaturat janë në favor të artistëve gjatë provave dhe netëve live.
Për ta përmbyllur, organizimi i “Këngës Magjike” në pranverë krijon një balancë të aktiviteteve muzikore në vend dhe i jep mundësinë kujtdo, duke filluar nga producentët, kompozitorët, këngëtarët e deri te skenografët, për të qenë më kreativë dhe për të sjellë një frymë të re, më të freskët./RevistaAnabel/