Mbrëmë ka përfunduar nata e parë e Këngës Magjike, ku kanë kënduar plot 22 këngëtarë. Edicioni i 15-të i këtij viti erdhi me disa ndryshime, si psh ndryshimi në prezantim. Mbrëmë përkrah moderatorit Ardit Gjebrea ishin dy aktorë humori, Ermal Mamaqi dhe Ervin Bejleri, por a ishte kjo zgjedhja e duhur për një festival muzikor? Nga reagimet e publikut dhe komentet e tyre nepër rrjetet sociale vihet re një pakënaqësi për zgjedhjen e prezantuesve. Ata shprehen se aktorët e humorit e kanë vendin e tyre për të bërë humor kështu që ishte e panevojshme prezantimi i një festivali muzikor nga ata. Por nuk ishte vetëm prezantimi që i vrau syrin publikut. Bëhet fjalë për këngëtarët, të cilët jo vetëm që nuk këndojnë drejtpërdrejt, por abuzojnë edhe në veshje. Ndoshta ende nuk e kanë kuptuar që bëhet fjalë për një festival muzikor ku primare është kënga dhe jo veshja. Por të kalojmë pak tek këngët. Vihet re një situatë e ngjashme me atë të vitit 2008, ku kënga e Valton Krasniqit përjashtohet,sepse ishte një këngë e kopjuar nga një këngëtar Italian. Këtë vit publikut i duket kënga e Devis Xherahut, “Serenatë malli”, një kopje shume e mirë e këngëtarit serb Zeljko Joksimovic me këngën Lane moj, pjesmarrëse në Eurosong 2004. Të gjithë bëhen kuriozë se a e ka vënë re Arditi një ngjashmëri kaq të dukshme të këngëve? Ajo cfarë vërtet publiku pëlqeu ishte skenografia, duket se skenografi Gaetano Castelli ka bërë një punë të mirë. Pjesa tjetër që a ishte Kënga Magjike vërtet një magji? Duket se magjia lë për të dëshiruar dhe ndoshta do ishte më mirë të quhej Kënga Teknologjike.
Përgatiti për IMA / I. Loshi