Është mbyllur nata e dytë gjysmëfinale e Këngës Magjike 2016 në Pallatin e Kongreseve. Mes këngëtarëve të kualifikuar për këtë mbrëmje, pjesëmarrës ishin edhe artistët e rinj, një pjesë e të cilëve do të vijojnë garën në mbrëmjen finale të së shtunës.
Juria e të rinjve, e përbërë nga Juliana Pasha, Olti Curri, Venera Lumani, Dj Sardi dhe Uliks Krajka, pas 4 këngëtarëve të rinj mbrëmjen e djeshme, kanë votuar për sonte edhe: Xheisara, Festina Mejzini, Joan Mezini, Algert Sala, Vjosa Selmani dhe Eliona, të cilët gjithashtu hyjnë në kategorinë e këngëtarëve “Big” që do të votojnë dhe do të votohen nga kolegët e tjerë pjesëmarrës.
Ndërkohë, juria ka përzgjedhur mbrëmjen e sotme edhe Artistin e Ri më të Mirë, emri i të cilit do të hapet mbrëmjen e së shtunës, bashkë me zarfin me Çmimin e Produksionit. Zarfi me Çmimin e Produksionit dhe zarfi me Çmimin e Artistit të Ri më të Mirë iu ngarkuan Dj Sardit, si përfaqësues i jurisë së të rinjve.
Në mbrëmje artistët do të mblidhen për të votuar kolegët e tyre që do të jenë pjesë e natës finale të së shtunës.