21 shtatori shënon zyrtarisht nisjen e festivalit “Kënga magjike 2014”, bashkë me programin e “Diela Shqiptare”. Artistë të afirmuar, por edhe të rinj, rryma moderne, risi në muzikën shqiptare priten edhe nga ky edicion.
Ja cilët janë këngëtarët e javës së parë në këtë fazë të festivalit:
Lorna
Grupi “Burn”
Entela Zhula
Leart Ajeti
Julian Gjojdeshi
Kënga provokative e Lornës
Lorna vjen për herë të parë në festivalin “Kënga Magjike” me këngën “Selfie”. Këngëtarja e re, pjesemarrese ne “X Factor” tregon se ka vite që këndon live dhe e sheh këtë festival si një mënyrë e mirë promovimi. “Teksti mund të merret si tekst i hapur sepse është edhe provokativ”- shprehet Lorna, e cila aktualisht vazhdon studimet për informatikë-ekonomi.
“Burn” prezantohen për herë të parë me solistin e ri
Ata vazhdojnë të ruajnë të njëjtin stil muzike, por tashmë me një solist të ri. Kjo është dalja e parë e grupit në një event muzikor me Dinon, por djemtë janë të sigurt që fansat e tyre vazhdojnë t’i ndjekin po njëlloj.
“Kenga Magjike,” sensibilizim për Ergestin e sëmurë
Një letër drejtuar producentit Ardit Gjebrea e ka njohur atë me historinë e Ergestit të vogël. Prej disa muajsh ai është diagnostikuar me leuçemi dhe familja e tij e ka të pamundur të ndjekë kurimin në Itali. Në këtë fazë të sëmundjes, mjekët shqiptarë nuk mund të marrin përsipër mjekimin dhe i kanë sugjeruar familjes kurim më të specializuar jashtë vendit. Në kushtet tejet të vështira ekonomike ku jeton familja e Kujtim Selimajt, kurimi i Ergestit është i pamundur. Në shenjë solidariteti, me qëllimin për t’i dhënë një ndihmë sado të vogël familjes së Ergestit, por mbi të gjitha për të sensibilizuar cilindo që mund të ofrojë ndihmë, artistët pjesëmarrës në javën e parë të festivalit, kanë bërë një vizitë në familjen e Ergestit duke i dhuruar njëkohësisht edhe biletat për kurimin e ardhshëm në Itali.