Festivali që për 14 të shtuna solli në ekranin e Televizionit Klan muzikën më të mirë Tradicionale dhe Qytetare, pati mbrëmë natën e madhe finale. “Kënga ime” ringjiti në skenë yllin e muzikës shqiptare Nexhmije Pagarusha.
E ftuara speciale e kësaj galaje çeli mbrëmjen e ndarjes së çmimeve. Trofeu me emrin Nexhmije Pagarusha i takoi duetit Besiana Mehmedi dhe Shkodran Tolaj me këngën “Të kam pritur”.
Secili nga 22 artistët e dalë nga pesë të shtuna gjysmëfinale, në këtë mbrëmje ishte fitues në një nga kategoritë. Lajmësit e çmimeve ishin personazhe të njohur të ekranit, teatrit, muzikës, baletit dhe sportit.
Trofeu i Televizionit Klan i takoi Rovena Ibrahimit me “Zemrën në lak”.
Ndersa publiku zgjodhi fituese “Tash spo du”, të Rosela Gjylbegut dhe Stresit.
“Kënga ime”, ky produksion i Pandi e Bledi Laço dhe Adrian Hila, ngjiti në këtë skenë mbi 60 artistë nga gjithë trevat shqipfolëse. Disa prej tyre eksperimentonin për herë të parë tingujt e traditës si “Mos e vra” e Renis Gjokës që rrëmbeu çmimin e Etno – Rock.
Ndërsa për artistë të tjerë, skena e Teatrit të Televizonit Klan ishte emocioni i pas shumë vite mungesë në botën e muzikës. Bedri Islami në krah te djalit të tij, Lindi, përbëri duetin më të mirë.
“Për ty o lumi im” i Sami Shehut mori çmimin e kritikës, trofeu i karrierës shkoi për Bashkim Alibali me “Jam shkodran”, produksionin promotor e merituan Enkelejda e Hysni Alushi, ndërsa balada më e mirë u vlerësua “Do të dua” e Shpat Kasapit.
Në mbremjen ku u ndanë edhe shumë çmime të tjera, pati edhe shumë elementë spektakli si performancat e anëtarëve të jurisë apo veshja e Pandi Laços si skocez.
Në fund, pas më shume se katër orë transmetim të drejtpërdrejtë, hiti i edicionit të parë të “Kënga ime” i takoi Gjergj Lekës me “Tropojani”.
TV KLAN