Jemi mësuar që ta shohim në IN TV në emisionin e tij Vip Room, por ky nuk është i vetmi locacion i Kelvi Kadillit në IN Media. Mesa duket ndër pasionet e tij është dhe radio. Prej gati një viti Kelvi drejton një emision në IN Radio. Në një intervistë ekskluzive për InfoMedia Albania, ai na zbulon disa detaje nga puna në radio dhe jo vetëm.
Kelvi, jemi mësuar të të shohim në IN TV por ti gjithashtu drejton dhe një emision në IN Radio. Si e gjen veten në radio në krahasim me TV.
Radio është një pasion i vjetër të cilin e kam nisur para shumë vitesh. Në IN Radio kam më shumë se një vit dhe ndihem shumë mirë por radio nuk ka lidhje me televizionin. Kamera e televizionit të jep mundësinë të shfaqesh më shumë elemente që ndihmojnë njeri-tjetrin. Është më i lehtë penetrimi tek shikuesit e TV-së sesa në radio (nëse je i zoti). Në radio, arma e vetme dhe më e fortë që ke është mikrofoni dhe vetëm kaq. Me anë të mikrofonit ti duhet t’i bësh njerëzit të të ndjekin dhe kjo nuk është e lehtë. Kërkon përkushtim, përqëndrim dhe mbi të gjitha pasion (edhe zë të bukur). Nëse nuk ka pasion nuk ka asgjë. Radio është art më vete!
Në një intervistë të dhënë për IMA ke deklaruar se të pëlqen televizioni për vëmëndjen që ofron, po në radio? Dhe si janë radiot në Shqipëri, krahesuar me ato ndërkombëtaret?
Ështe e vërtetë që televizioni më jep më shumë adrenaline sesa radio por ka të bëjë me natyrën time. Në të njejtën kohë televizioni është një thithës energjie i tmerrshëm ndryshe nga radio të cilën unë e përdor si karikues të energjive të mia. Radiot në Shqipëri për fat të keq nuk janë ato që kanë qënë përpara disa viteve. E vërteta është se njerëzit para disa viteve në Shqipëri ndiqnin më tepër radio sepse nuk kishin shumë alternativa për të kaluar kohën dhe ishte i vetmi vënd ku mund të dëgjoje muziken tënde të preferuar. Me avancimin e teknologjisë njerëzit i kanë këngët e tyre nepër iPad dhe telefona. Pavarësisht kësaj, mendoj që edhe përkushtimi i mediave radiofonike nuk është ai i dikurshmi por kjo sigurisht lidhet dhe me kërkesat e njerëzve. Sidoqoftë mendoj që një staf i përkushtuar dhe me intuitë të zhvilluar si ai i IN Radio, e di gjithmonë se cfarë i pëlqen njerëzve dhe unë këtë e masë tek komentet që marrë gjatë emisionit IN Traffic që bëj cdo ditë nga ora 16:00 deri në 19:00. Për sa i përket radiove jashtë Shqipërisë mund të them se janë më lart sesa radiot tona dhe kjo ndodh sepse prezantuesit radiofonikë jashtë shtetit e kanë me shumë pasion punën që bëjnë dhe japin maksimumin, ndryshe nga shumica e atyre shqiptarëve që futen në media, radio ose tv vetëm për të bërë selfie dhe për të marrë rrogën në fund të muajit.
Qarkullojnë fjalë për një lidhje dashurie. Cila ta ka marrë zemrën dhe si e sheh këtë lidhje që po përjeton në ndikim me punën?
Lidhje dashurie është fjalë e madhe. Unë e kam shumë të vështirë të besoj tek njerëzit dhe kam nevojë ti marrë gjërat shtruar derisa të them “Të dua”. Jam me dikë dhe sigurisht që ndikon edhe në punën time por jo në një formë negative. Seksi i mirë ka gjithnjë ndikim pozitiv… Hahah
Cili është opinioni yt objektiv mbi radiot në Shqipëri?
Radiot në Shqipëri, si thashë edhe më sipër, nuk janë ato që kanë qenë dikur dhe kjo ka të bëjë edhe me prezantuesit e dikurshëm. Për shëmbull po të flasim për Top Albania Radio, aty kanë punuar emra si Alketa Vejsiu, Gerta Heta dhe Arbana Osmani të cilat sot janë femra në karrierë dhe shumë të arrira. Por jo vetëm kaq! Radio nuk ka vetëm prezantuesit por janë edhe ata që merren me muzikën. Është e vështirë të gjesh një DJ të përkushtuar që punon me pasion në radio në vitin 2016. Me keqardhje mund të them që sot janë shumë pak ata që e bëjnë radion me pasion. Mendoj që radiot shqiptare kanë nevojë për punë!
Ka disa gojë të mira, nga ato të ligat, që thonë se ti je premtues për një Adi Krasta të ri. Si ndihesh ndaj këtyre zërave?
Unë nuk jam tip që vihem kollaj në siklet por kjo pyetje më pëlqeu shumë (Qesh). Adi Krasta është prezantuesi më i mirë që ka pasur dhe ka Shqipëria. Nëse një ditë do isha si ai do ndihesha vërtetë shumë i lumtur dhe sigurisht i plotësuar profesionalisht por ka shumë punë deri atëherë. Kështu që më jepni pak kohë… (Qesh)
A ke pasur kërkesa nga media të tjera për të punuar për to?
Po, kam pasur kërkesa të tjera por asnjëherë nuk jam tunduar të iki nga IN. Mendoj se nëse vendos të lëshosh rrenjë diku duhet të marrësh parasysh që lulja do shumë ujë dhe diell për t’u rritur e shëndetshme dhe e bukur. Lulja ime po bëhet shumë e madhe dhe më vjen keq ta lëviz nga kopshti i saj që i ka dhënë suport dhe mbi të gjitha shumë dashuri. IN Tv for Life! 🙂
Ekskluzive IMAlbania.com
Intervistoi D.Sakuta