Vazhdon kërkimi i vokaleve më të bukur të edicionit të katërt të The Voice of Albania. Dje mbrema uli siparin nata e tretë e audicioneve të fshehura. Zbulojmë sëbashku emrat e konkurentëve që kaluan këtë fazë.
Sidriti zgjodhi në ekipin e tij: ALBA YMERHALILI dhe KLINT GAÇE
Alba Ymerhalili
Alba është 17 vjeçe dhe në një vështrim të shpejtë duket se nuk asnjë lidhje me muzikën. Ajo studion për shkenca natyrore. Por kur gërmon në biografinë e saj, vihet re lehtazi se ajo është mjaft e pasur në planin muzikor. Ajo ka studiuar për piano dhe është angazhuar në disa koncerte, kryesisht si pianiste dhe më pak si vokaliste. Por jo vetëm kaq. Në shtëpinë e Albës, instrumenti i pianos, duket është bërë “kriter” për të gjithë, pasi edhe mamaja e saj, motra si dhe babai i bien pianos. “The Voice” sipas saj është një ëndërr, ndaj ka ardhur në spektakël, që ky spektakël të mos mbetet thjesht një ëndërr.
Klint Gace
Klinti është 18 vjeç, një djalë që një pjesë të jetës së tij e ka kaluar në Greqi. Pasionin për muzikën e ka që në vogëli. Ai tashmë është kthyer në Shqipëri dhe synon të hapë një kapitull të ri në botën e muzikës. “The Voice” e sheh si mundësinë më të mirë, për të shpërfaqur talentin e tij muzikor. Klinti jeton në qytetin e Vlorës, qytet në të cilin, ka pak mundësi për të ushtruar sa dhe si duhet, pasionin për muzikën. Ndaj ai, konkurimin në “The Voice”, e sheh si mundësinë më të mirë për të pasur trampolinën e tij, për tu përfshirë akoma më shumë në botën e muzikës dhe të spektaklit.
Alma zgjodhi në ekipin e saj: STENALD MEHILLI, VANESA BASHA dhe OLTA KAFERRI
Stenaldo Mëhilli
Stenaldo është 17 vjeç dhe vjen me histori mjaft interesante, si në planin personal, ashtu edhe muzikor në “The Voice”. Ai vetëm kur ishte 3 javësh ka humbur babanë e sikur të mos mjaftonte kjo, Stenaldo ka humbur edhe shikimin. Ai ka një mama të përkushtuar në maksimum ndaj tij, e cila përpiqet në çdo hap t’i mbushë boshllëqet e krijuara si dhe të kapërcejë pengesat e vështirësitë me të cilat ai ballafaqohet edhe për shkak të humbjes së shikimit. Është pikërisht mamaja e tij, nxitësja kryesore për të ardhur në “The Voice”. Ndërsa në planin muzikor, Stenaldo vjen shumë i pasur. Ai ka studiuar 6-7 vjet për piano, si dhe ka performuar në disa koncerte të vogla me karakter lokal. Stenaldo gjatë një konkurimi në Mal të Zi është shpallur edhe si këngëtari më i mirë. Me ardhjen në “The Voice” ai po përpiqet t’i krijojë mundësi të reja vetes, si dhe të dëshmojë se asnjë pengesë fizike nuk mund ta ndalë një njeri, që të materializojë pasionet dhe dëshirat që ai ka.
Vanesa Basha
Vanesa është 17 vjeçe dhe vjen nga Tirana me natyrën tipike e vajzave të sotme, që pasionin e saj për muzikën, pavarësisht se nuk ndjek shkollim profesional, përpiqet që ta ushtrojë duke ndjekur kurse private, me qëllim që të arrijë objektivin që ajo ka, për të qenë protagoniste e skenave. Ajo ka dhe një pasion tjetër të saj, dëshirën për të qenë fotografe. Vanesa shprehet se në fokus të fotove të saj, nuk është vetëm ana estetike e natyrës dhe e profileve njerëzore, por edhe dramaciteti i jetës së përditshme. Me punët e deritashme, ajo së shpejti të hapë edhe një ekspozitë fotografike.
Olta Kaferi
Olta studion për shkenca politike dhe është në vitin e tretë. Ajo është 22 vjeçe dhe vjen nga Peshkopia, ku mungesa e aktiviteteve profesionale muzikore është më se e dukshme. Për rrjedhojë, edhe shumë zëra muzikorë, me vështirësi përpiqen të çajnë për të mbajtur gjallë pasionin e tyre për këngën. Këtë radhë në “The Voice” ajo vjen me bindjen që t’u dëshmojë të gjithëve dhe t’u tregojë me shpirt, se ka një zë shumë të mirë dhe se ajo mundet të përballet me sfidat muzikore.
Elsa zgjodhi në ekipin e saj: ALBINE KELMENDI, NILSA HYSI dhe GZIM METAJ
Albine Kelmendi
Albine është 17 vjeçe dhe vjen nga Peja, Kosovë. Një vajzë me edukim muzikor, jo vetëm në aspektin e shkollimit, por edhe në atë familjar. Ajo ndjek shkollën e muzikës për klarinetë në Pejë, si dhe sekondar ka instrumentin e pianos. Ajo bashkë me familjen kanë krijuar një bandë muzikore te quajtur “Family Band”. Ajo vjen në “The Voice” për të eksploruar se deri ku mund të arrijnë aftësitë e saj vokale në mënyrë që, nëse ecën, të ndërtojë një të ardhme të saj, në botën e muzikës, jo vetëm si klarinetiste, por edhe si vokaliste.
Nilsa Hysi
Vajza e Skraparit, Nilsa, ndjek studimet për informatikë dhe është 19 vjeçe. Ajo duket se është një përjashtim nga rregulli në familjen e saj, pasi prindërit kryesisht janë të orientuar dhe me profesion në fushën e mjekësisë. Për Nilsën, kjo është hera e dytë që ballafaqohet në “The Voice”. Nilsa është një vajzë racionale, pasi edhe vendimin për të studiuar për informatikë e ka marrë, pasi ka studiuar tregun e punës. Nilsa shprehet se nuk do të lerë as informatikën e as muzikën, pavarësisht sesi do të jetë evoluimi i saj brenda spektaklit.
Gzim Metaj
Gzimi është 24 vjeç, nga Ferizaj dhe jeton në Prishtinë. Një tip që pëlqen zhandre të ndryshme dhe gjithmonë sjell vallëzimin apo edhe në këngë diçka të përpuar nga ai, për të qenë sa më origjinal dhe për t’u prezantuar si Gzim. Kërcen kryesisht muzikën latine. Ndjek rregullisht një shkollë vallëzimi. Ka nje larmi aktivitetesh punësimi. Gzimi ka marrë pjesë edhe më parë në “The Voice”, por pa kaluar fazën e audicioneve te fshehura. Duke qenë një djalë me vullnet këtë periudhë kohe e ka shfrytëzuar për të studiuar kanto dhe ka krijuar në shtëpi edhe një studio muzikore. Vjen në Voice për të bashkëngjitur këtë eksperiencë në listën e eksperiencave të tij.
Genci zgjodhi në ekipin e tij: FRENKLI VIERO, REXHINA DOÇI dhe ZHORZHETA SOTA
Frenkli Viero
Frenkli vjen nga Vlora dhe është 19 vjeç. Ndërsa tradita familjare në fushën e muzikës nuk ka munguar, ai zgjodhi të ndjekë studimet e larta për Mjedisin, pasi sipas tij, mjedisi, zhvillimi dhe ruajtja e tij, përbën një pasion tjetër të fortë krahas muzikës. Frenkli nuk ka pasur një aktivitet të spikatur muzikor në të kaluarën e tij, përveç disa angazhimeve të natyrës shkollore. Në “The Voice” ai vjen për të çuar më tej prirjen dhe pasionin e tij për muzikën, e pse jo nëse do të ketë një dritë në fund të tunelit të marrë përsipër dhe angazhime shumë serioze për t’ia kushtuar të ardhmen e tij botës së muzikës.
Rexhina Doci
Rexhina është një vajzë, e cila synon që nga skenat e vogla të qyteteve pak larg kryeqytetit, të kalojë në skenat plot drita dhe blice të qendrave të mëdha muzikore. Ajo është 19 vjeçe, nga Peshkopia dhe ka vite që banon në Tiranë. Aktivitet e saj të deritanishme kanë qenë pak të kufizuara edhe për shkak të mundësive të vogla që ajo ka pasur, për të shpërfaqur veten e saj. Rexhina dëshiron që të ndjekë edhe Akademinë e Arteve, për dramë. Qëllimi i ardhjes së saj në “The Voice” është që të kapë, jo vetëm kohën e humbur, por edhe pse jo të jetë një personazh në skenat muzikore të kryeqytetit.
Zhorzheta Sota
Për Zhorzhetën 20-vjeçare, nga Fieri, muzika ka qenë pasioni i saj që nga fëmijëria. Ndonëse muzikën e kishte shumë pasion, por sidomos e dominuar nga pasiguritë, ajo e shtyrë dhe nga prindërit vendosi të studiojë në botën eshkencës, por pasionin e ndrydhur prej vitesh ajo kërkon ta, çlirojë, duke marrë pjesë në “The Voice”. Zhorzheta ka vendosur që pjesëmarrjen në këtë sfidë t’ua bëj surprizë prindërve të saj. Ajo nuk i ka informuar ata për pjesëmarrjen në “The Voice”, duke i lënë që këtë të fshehtë ta zbulojnë në momentin që ajo do të interpretojë në skenën e “The Voice”.