Këngëtarja shqiptare, Hersi Matmuja, në një intervistë nga Italia zbulon për “Shekulli”-n si është gjendja aktuale në shtetin fqinj pas 50 ditësh në izolim. Si gjithë të tjerët, Hersi shprehet e shqetësuar për të ardhmen, duke treguar se artistët nuk kanë marrë mbështetjen e duhur financiare nga shteti italian
Këngëtarja shqiptare, Hersi Matmuja, që jeton në Itali, prej më shumë se 10 vitesh dhe ka ndërtuar atje jetën e saj, ndodhet në izolim prej gati 50 ditësh. Koronavirusi e ka bllokuar në shtëpi me bashkëshortin, Jacopo Conoci, njësoj si gjithë italianët, që janë detyruar të karantinohen në banesat e tyre prej thuajse 2 muajsh.
Hersi jeton në Vicenza, në rajonin e Venetos, që ndodhet shumë afër me Lombardinë, një nga zonat më të goditura nga Covid-19. Edhe pse i ndajnë shumë pak kilometra nga zonat e prekura, gjendja në qytetin ku jeton artistja shqiptare paraqitet shumë më ndryshe. Në një intervistë për “Shekulli”-n, Hersi tregon se Lombardia është një nga zonat më të zhvilluara nga ana ekonomike dhe pavarësisht koronavirusit aktiviteti nuk u ndal tërësisht, e kjo mund të jetë një ndër arsyet pse atje pati një përhapje masive të epidemisë. Megjithatë, ajo shton se kjo është thjesht një hipotezë e ngritur prej tyre, sepse shteti ende nuk ka bërë hulmutime në lidhje me këtë gjë.
Por, Hersi tregon për “Shekulli”-n se fatmirësisht situata në Itali po përmirësohet dhe se ka nisur lehtësimi i masave.
“Ne nuk dalim prej gati 50 ditësh, përveçse shkojmë dhe bëjmë pazarin. Tani, këtu në Veneto që jetojmë ne, kanë filluar të lehtësohen masat. Nga nesër do të hapen disa librari, aktivitete, por jo në mënyrë masive. Gjithsesi duhet të dalim në rrugë me maska dhe të përshkruajmë më shumë se 200 metër për shëtitje ose për vrap, gjë që nuk mund ta bënim më parë dhe tani po presim vendimet e tjera të shtetit”, thotë Matmuja.
Artistja, që përfaqësoi Shqipërinë në “Eurovision” në vitin 2014-të, nuk ankohet aspak për 50 ditët në izolim, madje ajo tregon se e ka shijuar shumë qëndrimin në shtëpi.
“Ky izolim nuk ka qenë i thjeshtë sepse jemi mësuar të dy të lëvizim shpesh për punë, kështu që po mundohemi të merremi me gjëra të përditshme të shtëpisë si gatimi, studimi dhe kemi pasur më shumë kohë për të qëndruar bashkë. Në ditët e para e kemi ndjekur karantinën me përpikmëri, gjendjen, numrat, sepse ishte me të vërtetë shumë e vështirë dhe tragjike. Por për momentin me dëshirën për të qëndruar lart me moralin, po mundohemi që të largohemi pak nga gjendja e virusit, gjithmonë duke ndjekur rregullat”, tregon Hersi Matmuja për “Shekulli”-n.
Më pas ajo shton se karantina i ka kufizuar në krijimin e muzikës, që është një nga pasionet më të mëdha për të dhe Jacopo, i cili është violinçelist.
“Studimi që ne bëjmë është shumë pjesë e rëndësishme, por nëse nuk finalizohet në skenë ka kuptim deri në një farë pike. Kështu që e kemi shumë të rëndësishme, që të shkëmbejmë me njerëzit dashuri, zënka, biseda. Ne i mjaftojmë njëri-tjetrit, por sa i përket punës dhe muzikës kemi nevojë dhe për skenën, ambientin e jashtëm, shoqërinë, të socializohemi, sepse ne i përkasim njëri-tjetrit, siç thoshte dhe Nënë Tereza”, shprehet Hersi për “Shekulli”-n.
Komunikimi me të afërmit dhe marrëdhënia me fqinjët në kushte karantine
Hersi tregon se teknologjia i ka lehtësuar shumë gjërat për të dhe partnerin në kushte shtëpie, sepse mund të komunikojnë lehtësisht me të afërmit e tyre që ndodhen në Shqipëri dhe në Lecce.
“Shqetësimi ka qenë, por teknologjia na e ka lehtësuar punën dhe themi sa mirë që ekzitojnë, sepse na lidhin me njerëzit tanë të dashur, ndryshe do kishte qenë vërtetë shumë e vështirë. Në fillim ka qenë ajo frika, sepse kur unë u ktheva nga Shqipëria ka qenë data 26 shkurt dhe kisha qenë në Shqipëri 3 ditët e para që shpërtheu epidemia në Itali dhe kisha shumë frikë se mund të isha mbartëse e virusit. Por duke qenë se prej 50 ditësh unë jam në izolim dhe nuk kam pasur asnjë lloj simptome dhe njerëzit që unë kam pasur të bëj janë shumë mirë, normalisht u qetësova”, thotë këngëtarja.
Nga ana tjetër, Hersi tregon se karantina, i ka afruar akoma më shumë me fqinjët italianë, sepse situata i ka solidarizuar të gjithë. “Komshinjtë këtu janë shumë të dashur, plus pallatet tona janë përballë njëri-tjetrit, kështu që kemi mundësinë të pimë kafen në ballkon së bashku, të komentojmë lajmet dhe jemi ndjerë më pak vetëm. Pardje ka qenë një ditë shumë e bukur, sepse një nga komshinjtë më tha ‘Ke flamur shqiptar? Nxirre dhe bashkoi, sepse është një moment i bukur për të qenë bashkë’”, tregon këngëtarja për “Shekulli”-n.
Ajo shton se italianët e pritën mjaft mirë ndihmën e 30 mjekëve shqiptarë, duke pasur parasysh që vendi ynë është i vogël dhe me pak mundësi, e që nga ana tjetër Evropa e braktisi Italinë në këto ditë të vështira.
Frika për të ardhmen
Njësoj si gjithë të tjerët, artistët i tremben asaj se çfarë do të rezervojë e ardhmja dhe Hersi tregon se në këtë kohë ata nuk kanë pasur ndihmë aq sa duhet nga shteti.
“Shteti italian nuk ka menduar shumë për artistët. Ka vendosur një lloj ndihme financiare, 600 euro, për të gjithë ne punonjësit e sektorit artistik, që është asgjë, sepse ne kemi humbur turne, kemi humbur 10-fishin e kësaj shume në këto 3 muaj që parashikohet izolimi. Mua më janë anuluar shumë koncerte, më është anuluar një turne shumë i rëndësishëm në Gjermani, që do të shkoja në maj dhe po pres të më anulojnë edhe qershorin. Nëse kjo gjendje do të zgjasë më shumë, për ne do të jetë shumë e vështirë të mbijetojmë si sektor. Do të kemi vështirësi ekonomike, sepse ne jetojmë me artin, nuk është se bëjmë shaka. Kur lexoj sloganet, ‘arti nuk është ndalur’, më vjen të qesh, sepse ne jemi të gjithë në shtëpi, pa punë, pa asnjë lloj ndihme, kështu që arti është ndalur. Arti nuk është vetëm për t’u shijuar kur njerëzit janë në vështirësi dhe artistët mbi të gjitha nuk duhen trajtuar me pak, nuk duhen trajtuar si disa qenie që t’i gjendemi në ndihmë shtetit për të mbyllur plagët që hapen nga pandemitë apo për t’i bërë njerëzit që të harrojnë vështirësitë, por duhen ndihmuar në këto momente. Normalisht unë nuk kam plan B, sepse asnjëherë nuk e kisha menduar në jetën time që do të gjendesha në këtë situatë, por nëse do të jetë e nevojshme do ta mendoj, por nuk e di akoma si do të shkoj më tej situata. Shpresoj gjithmonë më të mirën, sepse për mua do të ishte shumë e dhimbshme të detyrohesha ta ndryshoja këtë profesion. Por nëse do të jetë e nevojshme, do të më duhet ta bëj, sepse nuk mund të bëhet art nga interneti dhe nga ‘live’-t në ‘Facebook’ apo ‘Instagram’, janë të gjitha fallso. Ne jemi artistë, kemi nevojë për skenën, publikun, por normalisht duke qenë se shëndeti i njerëzve është në rrezik dhe nuk kemi mundësi të bëjmë ndryshe, nëse kjo gjendje vazhdon, duhet plani B”, thotë Hersi Matmuja për “Shekulli”-n.
Në fund ajo shton se pandemia e ka ndihmuar të reflektojë mbi cilësinë e kohës dhe pasi e gjithë kjo të marrë fund gjëja e parë që do të bëjë është të udhëtojë drejt Shqipërisë dhe Romës për të përqafuar të gjithë të afërmit, që i mungojnë shumë.
Intervista nga Lorena Resulaj