Reagon Matilda: Gjatë përleshjes vetëm ajo nuk u dhunua, dyshoj se shenjat i ka bërë për protagonizëm.
Edhe pse nuk luftojnë për ndonjë çmim dhe para, pasi janë tashmë të eliminuar si banorë të “Big Brother 7”, sërish vazhdojnë të jenë armiq jashtë lojës, duke degjeneruar në një sherr publik. Gjithçka ka ndodhur të premten e kaluar në studiot e “Top Channel”, kur Fatjoni i është drejtuar “live” gjatë spektaklit Katerinës me fjalët: “Ty s’t’i hedh sytë e s‘të prek me dorë”, në minutazhin e publicitetit ndërsa kanë dalë të pinë cigare, debati ka degjeneruar në dhunë fizike mes tyre. Në momentin e përplasjes verbale dhe fizike kanë qenë të pranishëm edhe opinionisti i “BB 7”, Mand Peza, Matilda, bashkëshortja e Fatjonit, Esida, Zhaku dhe Ervini, të tjerë ish-konkurrentë të këtij edicioni. Sherri ku janë përdorur fjalë fyese nga të dyja palët, u shua me ndërhyrjen e Pezës dhe të një producenti të spektaklit, ndaj ata janë pajtuar brenda asaj nate. Por Katerina nuk e ka lënë me kaq, duke denoncuar Fatjonin në media për faktin se ai ka ushtruar dhunë verbale dhe fizike ndaj saj si femër, i mbështetur dhe nga bashkëshortja, Matilda.
Sipas variantit të Katerinës, në lidhje me sherrin e ndodhur në paskuintat e spektaklit të “BB7”, ishte Fatjoni ai që e kishte ndjekur pas së bashku me Matildën, duke e sulmuar me fjalët “femër e përdalë” etj. “E pranoj që në nerva e sipër unë pastaj e gjuajta me shpullë në fytyrë, moment pas të cilit Fatjoni reagoi duke më gjuajtur me grusht dhe duke me çjerrë në krah”. Pas këtij momenti tentova ta qëlloja me çantë, por realisht çanta goditi Esidën, e cila u afrua të na ndante”, tregon Katerina. “E di që nuk është një ndodhi e bukur për t’u treguar, por çdo gjë nisi nga Fatjoni, pra sherrin e kërkoi ai, duke matur forcën me një femër. Edhe pse në fund fare, para se të rikthehesha në studio, Fatjoni e pranoi vetë gabimin dhe më kërkoi falje, unë e kërkoj ndjesën publikisht, pasi dhe ofendimet m’i bëri “live” në spektakël”, thotë ajo. “Gjithashtu dua të them se ishte Matilda ajo që e nxiti kundër meje dhe gjithë këtë acarim të tyre e shpjegoj me faktin se u vjen plasja që s’e fituan dot çmimin e madh as njëri as tjetri dhe tani s’dinë si të nxjerrin inatin”.
Matilda: Katerina provokoi Fatjonin, ajo vdes për pak vëmendje
Ndërkohë që Fatjoni kërkon ta lërë me kaq këtë sherr, është Matilda ajo që tregon variantin e saj, jo vetëm si bashkëshortja e tij, por edhe si dëshmitare e konfliktit. “Në atë moment ka pasur shumë dëshmitarë dhe të gjithë e panë se ishte Katerina që provokoi Fatjonin, sepse ai s’kishte asnjë plan të bënte sherr me të. Dua të them se në atë ‘përleshje’ ku u përfshimë shumë veta, në momentin që donim t’’i ndanim, e vetmja që nuk mbeti e dhunuar ishte Katerina. Edhe pse ajo e gjuajti me shpullë Fatjonin, ai nuk mundi ta prekte në tentativën e tij për ta gjuajtur, pasi e ndaluam ne të gjithë. Sa për shenjat në krah që ajo thotë se ia ka bërë Fatjoni, të them të drejtën nuk dukeshin si shenja të lëna nga një grusht, por më shumë si pickime që ka gjasa t’i ketë bërë dhe vetë. Nga ajo pres gjithçka për të tërhequr vëmendjen”, tregon Matilda. Në lidhje me ndjesën publike të kërkuar nga Fatjoni, ajo përgjigjet: “Fatjoni i kërkoi të falur që atë natë, ndaj nuk e di pse ajo e mediatizoi këtë situatë. Në fillim u mërzita pak, por tani mendoj se ai tip femre meriton vetëm të injorohet, asgjë më shumë”.
Burimi | Panorama