Ftesë publike Ismail (Ballist) Morinajt për debat në emisionin “Zonë e Lirë” të Arian Canit në Tv Klan, në 17 prill
Arian Cani ka disponim që javën e ardhshme, në emisionin e tij “Zonë e Lirë” në Tv Klan, të bëhet një debat mes meje dhe Ismail (Ballist) Morinajt, i cili pretendon se është autori i dërgimit të dronit në stadiumin e Beogradit, në ndeshjen Serbi-Shqipëri, në 14 tetor të vitit të kaluar.
Deri më sot Ismail Morinaj nuk e ka pranuar publikisht me gojën e vet se është ai autori i ngritjes së dronit në Beograd. Ndonëse është kërkuar nga shumë televizione, ai nuk ka dhënë një intervistë ku të pohojë autorësinë dhe të japë hollësi për mënyrën se si e bëri këtë akt, në rrethanat e asaj mbrëmjeje në Beograd, kur ngritja e dronit ishte mision i pamundur. Morinaj do ta kishte të pamundur të provonte se ai e ka ngritur dronin pa bashkëpunim me shërbimet e fshehta serbe, nëse do të ballafaqohej me tërësinë e fakteve që kanë të bëjnë me rrethanat e ditës së 14 tetorit në Beograd.
Deri më sot, për të kanë folur vetëm miqtë e tij dhe ai ka marrë “lavdinë”, por pa marrë përsipër asgjë drejtpërdrejt me fjalë të qarta. Ai ka postuar disa videoregjistrime ku shfaqet duke treguar një banner si ai që u ngrit në Beograd, duke bërë prova me dron, apo ku shfaqet duke thënë se do të bëjë një surprizë në ndeshjen Serbi-Shqipëri, por të gjitha këto nuk janë pohim i drejtpërdrejtë i aktit. Përse nguron Morinaj të shprehet publikisht, kur Serbia nuk ka nxjerrë një urdhër arresti ndërkombëtar për të, ndonëse e ka quajtur përgjegjës për ngritjen e dronit? Meqënëse është e qartë se Morinaj nuk ka frikë nga Serbia, del se ai ka frikë vetëm nga e vërteta e paraqitur nëpërmjet fakteve.
Sjellja e Morinajt, i cili nuk e pohon publikisht autorësinë, por merr lavdinë e saj, është një sjellje djallëzore prej një njeriu që konsultohet nga shërbimet e fshehta serbe. Adhuruesit e Morinajt që thonë se ai është hero pasi i bëri të ndjehen krenarë, nuk mund të tregojnë një deklaratë publike të drejtpërdrejtë të tij se është ai autor i ngritjes së dronit. “Heroi” nuk nguron që ta pohojë “heroizmin” e tij për shkak të modestisë së tij si njeri, se ai duket që ka dëshirë të shijojë lavdinë.
Morinaj ka rastin të shprehet publikisht për aktin e tij dhe të bëjë një rrëfim të detajuar të tij, duke iu përgjigjur dhe pyetjeve mbi enigmat e ngjarjes. A do ta pranojë ai debatin? Morinaj mund ta refuzojë debatin vetëm për një arsye, se atij nuk i jep leje shërbimi i fshehtë serb që të dalë në debat, se nuk ka besim në aftësitë e Morinajt për t’ u ballafaquar në një debat ku ai do të përballet me faktet. Serbisë Morinaj i duhej vetëm si cover up për të marrë përsipër aktin e ngritjes së dronit. Të premte, në 17 prill, në orën 21, shqiptarët do ta mësojnë të vërtetën e Morinajt nëse ai ulet në studion e Arian Canit përballë kamerave televizive./Kastriot Myftaraj