Artan Santo dhe Dritan Hoxha qenë të dy pronarë të medias. Kjo nuk është gjëja e vetme e përbashkët që kishin ata të dy. E përbashkëta tjetër ishte se ata të dy, si pronarë të medias, në një moment u bënë të rrezikshëm për Edi Ramën. Dritan Hoxha ishte pronar i televizionit Top Channel që ishte televizioni më i rëndësishëm që mbështeste Edi Ramën në kohën kur ai ishte në opozitë. Madje, që në kohën kur PS ishte në pushtet dhe Edi Rama kishte një marrëdhënie të vështirë me Kryeministrin Nano, i cili e shihte si një rival të padëshiruar. Pavarësisht se PS, partia së cilës i përkiste Edi Rama ndodhej në pushtet gjatë katër nga shtatë vitet në të cilët Dritan Hoxha jetoi si pronar i Top Channel, Tani i Topit, siç e quanin, ishte në opozitë me qeverinë gjatë gjashtë prej këtyre shtatë viteve. Nëse deri në 2005 Top Channel ishte i identifikuar politikisht vetëm me personin e Edi Ramës, që prej tetorit 2005 kur Edi Rama u bë kryetar i PS-së, ky televizion dhe vetë Dritan Hoxha u identifikuan edhe me PS-në përveçse me Edi Ramën.
Dritan Hoxha ishte i vetëdijshëm për rëndësinë që ai kishte për PS-në. Ai vërtet nuk shfaqi ambicje për të bërë karrierë politike sa kohë që Edi Rama nuk ishte kryetar i PS-së, por nisi t’ i shfaqte këto ambicje kur Edi Rama u bë kryetar i PS-së. Me afrimin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, të parat zgjedhje në të cilat PS do të hynte duke pasur si kryetar Edi Ramën, Tani i Topit mendoi se kishte ardhur koha që të saktësonte marrëdhëniet e tij politike me kryetarin e PS-së. Prishja e aleancës mes Edi Ramës dhe Ilir Metës në vjeshtën e vitit 2007, pasiqë të dy kishin qenë aleatë në zgjedhjet vendore të atij viti dhe kishin mbajtur qëndrim të njëjtë sa i përket zgjedhjes së Presidentit të Republikës, i dha të kuptojë Tanit të Topit se tashmë kishin nisur negociatat paraprake për zgjedhjet e vitit 2009. Ilir Meta i kishte kërkuar Edi Ramës një marrëveshje paraprake për reformën zgjedhore dhe kur Edi Rama kishte refuzuar, Meta e kishte prishur aleancën, duke kuptuar se Rama, jo vetëm që nuk ishte për një aleancë parazgjedhore me LSI, madje se do të kërkonte që ta bënte reformën zgjedhore në atë mënyrë që LSI të eliminohej si parti në zgjedhjet e ardhshme.
Tani i Topit e kishte kuptuar me kohë se mënyra më e sigurt për të përfituar diçka me ardhjen e PS-së në pushtet, ishte që t’ i hynte karrierës politike, pra të bëhej vetë deputet. Ky nuk ishte një pretendim i tepruar, se ai po shikonte se si njerëz me reputacion shumë të dyshimtë po gjendeshin gjithmonë e më pranë Edi Ramës dhe dukej se do të ishin në listën e kandidatëve për deputetë të PS-së. Një ndër emrat që përfolej gjithmonë e më tepër si kandidat për deputet ishte ai i Koço Kokëdhimës, që ishte gjithashtu pronar i medias. Por televizioni i Dritan Hoxhës ishte pakrahasimisht më i rëndësishëm se gazeta dhe televizioni liliput i Kokëdhimës.
Prandaj Dritan Hoxha mendonte se ai kishte të drejtë, jo vetëm që të kërkonte të ishte vetë në listën për deputetë të PS-së, në një rradhë të tillë që e bënte të sigurt zgjedhjen e tij, por se kishte të drejtë që të paraqiste listën e tij të kandidatëve për deputetë, të cilët do të përfshiheshin në listën e kandidatëve për deputetë të PS-së. Ishte fjala për katër-pesë njerëz të cilët do të bëheshin deputetë të PS-së dhe më pas do të ishin grupi mbështetës i Dritan Hoxhës. Për Edi Ramën të gjitha këto ishin kërkesa të papranueshme. Prandaj mes tij dhe Tanit të Topit, në muajt e fundit të jetës së këtij të fundit pati një lloj ftohjeje, siç e quan Edi Rama në librin “Kurban”, por që në fakt ishte një konflikt politik. Edi Rama shpenzon disa faqe të librit të tij për të rrëfyer mbi miqësinë e tij me Tanin e Topit, si dhe mbi ftohjen e tyre në muajt e fundit të jetës së këtij të fundit. Ftohjen mes tyre Edi Rama përpiqet ta shpjegojë duke thënë se nuk dha Tanit të Topit një pult me të cilin mundësohej kalimi i automjeteve te rruga pedonale që ndërtoi Bashkia e Tiranës, dhe që iu jepej si privilegj vetëm banorëve të zonës. E gjithë kjo duket krejt e pabesueshme. Edi Rama nuk do t’ ia kishte kursyer pultin Tanit të Topit, nëse kjo gjë nuk do të kishte qenë një shenjë presioni që Rama e ushtronte ndaj mikut të tij për shkaqe të tjera.
Kur me marrëveshjen Berisha-Rama u bënë ndryshimet kushtetuese në prill të vitit 2008, të cilat i hapnin rrugë reformës zgjedhore të kryer sipas dëshirës së Edi Ramës (kortezi e Berishës ndaj Ramës për qëndrimin e këtij të fundit pas shpërthimit të Gërdecit), u hap rruga që kryetarët e partive të fitonin pushtetin e emërimit paraprak të deputetëve nëpërmjet listave, jo thjesht të kandidatëve për deputetë. Me këtë Edi Rama arriti kulmin e kontrollit të tij mbi partinë. Tani ishte koha që Edi Rama ta mbyllte llogarinë e bezdisshme me Dritan Hoxhën. Sa më tepër kohë që të kalonte dhe të afroheshin zgjedhjet parlamentare, aq më keq ishte për Edi Ramën. Sa më afër zgjedhjeve që të vdiste Dritan Hoxha aq më shumë dyshime do të binin mbi Edi Ramën, për shkak se konflikti politik mes tyre rrezikonte të bëhej publik nga dita në ditë. Prandaj Dritan Hoxha vdiq pikërisht në kohën e duhur, maj 2008. Vdekja e tij erdhi para zgjedhjeve, ashtu siç duhej që të mos mund t’ i prishte punë Edi Ramës, por aq larg zgjedhjeve sa ç’ duhej për të mos rënë dyshime mbi Edi Ramën se e eliminoi pikërisht për këtë qëllim. Vdekja e Tanit të Topit ishte një vrasje e kamufluar si një një aksident automobilistik. Automjeti ultramodern i Dritan Hoxhës u devijua nga rruga duke u përdorur në distancë sistemi i kontrollit dhe i mbikqyrjes së automjetit. Pas vdekjes së Tanit të Topit, Topi i Tanit u bë përfundimisht Topi i Edit. Pëshpërimat për vdekjen e Tanit të Topit në rrethet e larta në PS qenë të tilla që Edi Rama u detyrua që Koço Kokëdhimën të mos e bënte deputet në zgjedhjet e vitit 2009.
Bankieri Artan Santo u vra për shkaqe të ngjashme me ato të Dritan Hoxhës. Santo, në vitin e fundit të jetës së tij ishte në një konflikt të hapur me ortakun e tij, Irfan Hysenbelliu për çështjen e pronësisë mbi kompaninë mediale “Focus” (Tv News-24, “Gazeta Shqiptare” dhe BalkanWeb), të cilën e kishin blerë së bashku nga pronarët italianë. Konflikti kishte arritur deri atje sa Santo i ofroi si zgjidhje ortakut të tij që ose ky i fundit t’ jepte 3 milionë euro dhe t’ i blinte aksionet e Santos në kompaninë mediale, ose të ishte Santo ai që t’ i jepte kaq para dhe të blinte aksionet e tjetrit. Por Hysenbelliu nuk ishte dakord dhe mendonte se mund t’ ia merrte Santos aksionet me anë të një formule të ngatërruar financiare, në thelb spekuluese, duke shfrytëzuar qënien e vëllait të tij në postin e administratorit të kompanisë.
Santo si një bankier i kujdesshëm kishte pasur edhe një Plan B. Ai u lidh me deputetin e PS-së Tom Doshi dhe i ofroi këtij mbështetjen e tij që ky të blinte kompaninë mediale “Focus”, çka në thelb do të thoshte që Doshi të blinte pjesën e aksioneve që zotëronte Irfan Hysenbelliu, duke u financuar me një kredi nga Banka e Santos. Doshi kishte një konflikt me Hysenbelliun për çështjen e një trualli në ish-Bllok, në Tiranë (Bar “Rovena”), ku të dy Hysenbelliu dhe Doshi kanë interesa biznisi, për ndërtimin e pallateve. Në këmbim Doshi do të mbështeste Santon. Edi Rama u alarmua shumë kur mësoi se Tom Doshi do të bëhej pronar kompanisë mediale “Focus”. Tashmë kishte nisur konflikti mes Tom Doshit dhe Edi Ramës. Tomë Doshi ishte duke tubuar rreth vetes edhe disa deputetë të tjerë, me të cilët kohët e fundit krijoi një grup që nëse nuk rrezikonte ekzistencën e mazhorancës, megjithatë e ve në pozitë shumë të vështirë Kryeministrin Rama në raport me aleatin e tij Meta, se ulet edhe më tepër pesha e PS-së në mazhorancën parlamentare.
Në këto rrethana, Edi Rama e kuptonte se që një deputet, aq më tepër si Doshi, të zotëronte një media të tillë, kjo ishte njëlloj sikur në botë të shtohej një shtet i ri që zotëronte armë bërthamore. Kuptohet se Edi Rama nuk mund ta pengonte ligjërisht Tom Doshin për të hyrë në biznisin e medias, se Doshi ka aq të drejta sa, le të themi deputeti i PS-së Kokëdhima për të qenë edhe në biznisin e medias. Por Edi Rama kishte mënyra të tjera për ta penguar Doshin. Edi Rama dha një sinjal të ndërhyrjes në konfliktin mes Doshit dhe Hysenbelliut, kur Policia e Shtetit ndërhyri në konfliktin mes palëve duke mbajtur anën e Hysenbelliut. Merret vesh, një ndërhyrje e tillë në dëm të një deputeti të PS-së nuk mund të bëhej pa miratimin, në mos urdhrin e vetë Kryeministrit Rama. E gjithë kjo ndodhi vetëm pak kohë para vrasjes së Santos.
Të gjitha ato që ndodhën më pas, përbëjnë një zinxhir faktesh që të japin të kuptosh se Kryeministri Rama miratoi vrasjen e Santos, por kërkoi që ajo të ndodhte pas ditës kur do të mbahej mbledhja e shumëpritur e Bashkimit Europian ku do të merrej vendimi për t’ i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat në BE. Merret vesh, një kufomë bankieri në qendrën isntitucionale-finaciare të kryeqytetit shqiptar, do të kishte ndikuar vendimin e Bashkimit Europian për Shqipërinë. Dhe vrasësit, ose më saktë urdhëruesi i tyre ia përmbushi këtë kusht Kryeministrit. Si shpërblim Policia e Shtetit u soll në atë mënyrë ditën e krimit, që për vrasësit i gjithë aksioni të ishte një shëtitje e këndshme. Interesi i kryesor i Kryeministrit Rama në vrasjen e Santos ishte që Doshi të mos zotëronte një kompani mediatike që në duart e një njeriu me guximin e Doshit do të bëhej një armë e frikshme. Doshi me media në zotërim, do të ishte sikur Çun Mula i këngës së famshme t’ i shtinte në dorë topat që vinin me mushka dhe të mos kishte vetëm pushkë për luftë.
a mendoni qe mund te haj na1 plumb ky Kastriot Myftaraj,te jete ky i 3-ti valle 🙁