Filmi i parë konkurrues në Festivalin e Kanës u prezantua të enjten, si një rrëfenjë sociale e mbushur me skena të forta erotike.
“Rester Vertical” – thonë ekspertët, – i ka të gjithë përbërësit e duhur për t’u kthyer në një pretendent të fortë të çmimit të madh këtë vit.
Regjisori Alain Guiraudie, tani me sytë nga “Palma e Artë”, ka marrë në 2013-n në Kanë çmimin e regjisorit më të mirë për filmin “thriller” në “L’Inconnu du Lac”. Nuk mungonin as në atë rast skenat pikante, vetëm se nga eksplorimi i marrëdhënieve mes dy homoseksualëve dhe zbardhjes së një vrasjeje, këtë herë është përpjekur të hedhë një vështrim mbi anën intime të femrës, apo kontinentin e errët, siç e quan ai duke cituar Sigmund Freudin.
“Intimiteti është mjaft tërheqës. Është një botë kënaqësie, por mund të jetë edhe një botë vuajtjesh, megjithatë, mbi të gjitha ai vazhdon të jetë mënyra e krijimit të jetës. Ndonjëherë marrëdhëniet intime mund të jenë frikësuese, njerëzit kanë vështirësi ta menaxhojnë një gjë të tillë, ndaj mendova t’i shtoj dhe pak tonë humori situatës, duke mos e bërë shumë serioze dhe solemne”, tha Alain Guiraudie, regjisor.
Festivali më i famshëm i filmit në botë përzgjodhi mes një numri rekord prej 1.869 filmash për të nxjerrë prej tyre vetëm 49 krijime, që do të shfaqen këto ditë në Rivierën franceze. 20 nga filmat do të konkurrojnë për çmimin e madh “Palma e Artë”.
Marre nga TCH