Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Tiranë, ku burri ka plagosur me thikë bashkëshorten. Ngjarja ndodhi në rrugën “Manhatan”, në Kamëz.
Mesohet se Ndue Prenga akuzohet se goditi me mjetin mprehës gruan, e cila aktualisht ndodhet në spitali.
NJOFTIMI I POLICISË
Ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5, parandalon përshkallëzimin e mëtejshëm, duke evituar një ngjarje të rëndë kriminale në familje. Goditi me thikë bashkëshorten në banesë, vihet në pranga 73-vjeçari, me precedent të mëparshëm penale në krimet kundër personit.
Sekuestrohet thika me të cilën autori kreu plagosjen. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, me të marrë njoftim se në rrugën “Manhatan”, në Kamëz, kishte konflikt në familje, menjëherë kanë shkuar në drejtim të adresës së dhënë.
Në momentin që shërbimet e Policisë janë afruar për të hyrë në banesë, shtetasi N. P., 73 vjeç, sapo ka parë punonjësit e Policisë ka tentuar të largohet, por fale ndërhyrjes së shpejtë dhe veprimeve profesionale është kapur dhe arrestuar nga sherbimet e Policisë.
Shtetasi N. P., pas një konflikti për motive të dobëta ka goditur me thikë bashkëshorten e tij, e cila ndodhet në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore. Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi i shtetasit N. P., për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.