Dashuria e prindit për fëmijën dhe e fëmijës për prindin është dashuria më e madhe e kësaj bote. Sakrificat që bën një prind për fëmijën e tij janë ndër sakrificat më sublime, të cilat nuk ka roman apo film që t’i përshkruajë.
Një fakt të tillë e vërteton edhe një histori reale tek “Ka një mesazh për ty” në “E Diela Shqiptare” në Televizionin Klan.
Protagoniste e kësaj rubrike është Emanuela, e cila rrëfen lidhjen e jashtëzakonshme që gjithmonë ajo ka patur dhe vazhdon të ketë me babain e saj.
“Ne kemi një lidhje shumë speciale, ku unë nuk kisha vend tjetër ndenje përveç prehërit të tij, më konsideronte shok dhe më këshillonte për çdo gjë.”
Emanuela thotë gjithashtu se personi i parë i cili do të merrte vesh gjithçka rreth jetës së saj ishte pikërisht babai.
“Ka qenë babi personi i parë të cilit i kam thënë se kam qenë duke u njohur me Arjanin (bashkëshortin e saj). Babi në atë kohë ishte në Greqi dhe më thotë, po, tani je e rritur. Konsultat e mija me babin kanë qenë të vazhdueshme.”
Pas disa vitesh martesë Emanuela rrëfen se jeta e tyre u zbukurua edhe më shumë me lindjen e vajzës së saj Najda. Gjithçka shkonte shumë mirë, por ajo që i mungonte gjithnjë Emanuelës ishte babi i saj, i cili jetonte në Greqi. Për këtë arsye asaj i është dashur që sëbashku me vëllain t’i prishë dokumentet vetëm e vetëm që ai të rrinte pranë tyre.
“Në vitin 2007 u kthye për të parë vajzën time, më pas bëmë një pakt me vëllain që t’i prishnim dokumentin që të mos shkonte më në Greqi.”
Por jeta e Emanuelës dhe e gjithë familjes së saj mori një rrjedhë tjetër në vitin 2013, pas lindjes së fëmijës së saj të dytë, Amarit. Ky i fundit lindi me sindromën “Down”. Emanuela e pikëlluar tregon se ajo ishte e fundit që e kishte marrë vesh sëmundjen e të birit.
“Në 2013 me insistimin e Najdës, ne marrim guximin të bëjmë një bebe tjetër dhe ndodhi. Në jetë vjen Amari. Ishte një surprizë shumë e bukur, një e mrekulli e dytë në shtëpinë tonë, por aty u lëkundën gjërat në familjen tonë, Amari kishte lindur me sindromën Down. Unë nuk e kuptova sepse Amari nuk kishte asnjë shenjë dalluese. Mua ma tha mjeku, aty u shokova, humba, nuk fola asnjë fjalë. Kisha ngrirë e gjitha, nuk doja ta pranoja.
Nga momenti që doktori më thotë se fëmija im ishte me sindromën Down nuk mbaj mend asgjë atë ditë. Më pas atë ditë u largova, i pari që kam takuar ka qenë Gerti, vëllai im. Gjatë gjithë kohës në kafe kam qenë përqafuar me Gertin, e kisha të nevojshme që ta ndieja aq afër.
Ngrihemi pastaj ikim në shtëpi. Dita nuk e di as vetë si iku. Vjen e para nga puna mami dhe atë sa e shoh në derë, ka qenë një plagë shumë e madhe sepse gjatë gjithë kohës unë kisha parë trishtim në sytë e saj, por nuk kisha dalluar për çfarë, nuk ishte ajo lumturia që ajo kishte përjetuar te Najda.
Por kur ka ardhur babi ka qenë më e dhimbshme. Ai nuk ka folur, po është ulur në divan, ka marrë djalin në dorë dhe vetëm qante, nuk gjente fjalë. Pasi ka mbaruar gjithë shkarkimin emocional ai dhe unë bashkë me të, më ka bërë një premtim: Ti asnjëherë nuk do të jesh e privuar për shkak të fëmijës, ti do të jesh Ela që ke qenë, do të vazhdosh punën, do të vazhdosh gjithçka, të gjitha do t’i mbaj unë. Nuk e besoja sepse ai është gjyshi nuk mund të bënte dot ato që mund të bëja unë. Ishte shumë vit i vështirë, mendoja se po lumturohesha, por nuk po e gjeja dot lumturinë. Amari ka lindur në Tetor, ne në Gusht të vitit pasardhës kemi ikur për disa vizita më të specializuara Francë, Gjermani, Suedi, përveçse në të treja vendet më doli e njëjta përgjigje, por më shihnin me shumë adhurim duke parë që Amari ishte shumë fëmijë i dashur dhe ne na shihnin si prindër heronj se isha me Arjanin dhe gocën.
Këtu po mbytesha, çdo ditë që unë shihja njerëz që njihja dhe që mund të mendonin duke parë pamjen e Amarit që ishte i lindur me Trisominë 21, më shihnin me gjynah, gjë që unë nuk e doja. Vërtet kam nevojë për mbështjetje por jo për gjynah.”
Më pas Emanuela pohon se gjithçka ka ndryshuar pasi ajo u kthye nga Suedia, por gjëja që e lëndonte tashmë ishte pengu që babai i saj ende mbarte.
“Jam kthyer nga Suedia prap ajo Ela e dikurshme, me të njëjtin humor, me të njëjtën energji. Babi vazhdonte me atë pengun e tij, mami, vëllai gjithashtu. Ai kishte diçka që e mundonte gjatë gjithë kohës. Ngrihej në mëngjes, vinte, nëse Amari ishte zgjuar e ushqente e ndërronte dhe më pas ikte për punë. Gjithçka donte të bënte për Amarin.
Tre vite që Amari është në jetë babi vazhdon me po të njëjtin ritëm. Pas 8 muajsh të ardhjes nga Suedia babin e shkurtojnë nga vendin e punës dhe ai gëzohet se tashmë do të ishte me kohë të plotë për Amarin.”
Emanuela ka ardhur për t’i bërë një surprizë babait të saj ndaj të cilit ndihet tepër mirënjohëse, por duke i kërkuar që t’i mbajë një premtim.
“Ai është një prind hero, që më bëri një premtim, tani do t’i kërkoja unë që të më mbante ai një premtim, dua që të jetë për vete tani ai, nuk dua të jetë më Amar. Dua të jesh ai babi që ke qenë dikur, sepse ti je oksigjeni im”- thotë Emanuela./tvklan.al