Kjo është Desara, një 18 – vjeçare nga fshati Sheqeras i Korçës. Ajo ishte sot pjesë e emisionit “Ka një mesazh për ty”, tek e “Diela Shqiptare”, për të rrëfyer historinë e saj.
Desara ishte vetëm 1 – vjeç, kur prindërit e saj vendosën të ndaheshin dhe tregon se nuk e njeh të atin. Prej 17 – vitesh, ajo jeton bashkë me nënën e saj në shtëpinë e gjyshërve.
Pas problemeve në çift, prindërit e saj vendosën të ndaheshin. 4 muaj më vonë, babai i Desarës u martua me dikë tjetër dhe që prej asaj kohe, ata nuk kanë patur ndonjëherë kontakt.
18 – vjeçarja tregon se nuk e ka atësinë, për shkak i ati nuk ka dashur t’ia japë. Madje ajo rrëfen se deri në moshën dy vjeçare ka qenë e paregjistruar, pasi ai nuk e donte të bijën.
Ndonëse jetojnë vetëm 20 minuta larg, Desara nuk ka patur kontakte me babain e saj dhe mes lotëve tregon se hera e parë që u gjend përballë me të, ai nuk e njohu…
Pasi e mori vesh kush ishte vajza që i kishte të njëjtën buzëqeshje me të, ai e pyeti si shkonte në shkollë, për familjen e saj, madje dhe të ëmën, ish – bashkëshorten e tij, një pyetje që Desara e priste, pasi shpresonte që ai nuk e kishte harruar të ëmën. Në fund ai i dha numrin e telefonit dhe i tha që ta telefononte për çdo gjë…
Megjithatë po të njëjtën ditë, babai i Desarës refuzoi që ajo të ishte pjesë e një gëzimi familjar që bëhej në familjen e tij, pasi i druhetj faktit se bashkëshortja e tij dhe i biri, do ta merrnin vesh.
Teksa e rrëfen këtë moment, Desara e përlotur tregon se ky veprim shkaktoi reagimin e së ëmës, e cila iu drejtua ish – bashkëshortit me fjalët:“Të lutem mos ma bëj më vajzën të vuajë pasi kam parë shumë lot në sytë e saj”.
“Kur isha e vogël dhe babai vinte për të takuar të ëmën, shoqet më thërrinin në emër që ai të kthente kokën. Por ai vazhdonte, më kthente kurrizin, mbase nuk më njihte, mbase më kishte harruar, ose mbase nuk më njihte fare, nuk e dinte se kush ishte Dea”, rrëfen 18 – vjeçarja mes lotëve.
Por pavarësisht historisë së dhimbshme dhe mungesës së një babai, Desara sot erdhi në “Ka një mesazh për ty” për nënën e saj, zonjën Dolores.
Nëna e Desarës punon çdo ditë, nga mëngjesi në darkë në tokat e familjes për të siguruar jetën e saj.
Ajo nuk u martua kurrë dhe iu përkushtua gjatë gjithë jetës Desarës.
Duke parë të ëmën që lodhet duke punur tokën vetëm që Deas të mos i mungojë asgjë, kjo vajzë 18 – vjeçare dëshiron t’i kërkojë nënës së saj që të mos e bëjë më këtë punë, sepse është një lodhje e tepër dhe përfitimet e pakta.
Desara thotë se do të punojë ajo vetë për të ndihmuar të ëmën, vetëm që mos e shohë më të lodhet dhe të mundohet, siç ka bërë gjithë këto vite.
“Unë nuk mundem t’i çmoj të gjitha ato vite që t’i ke dhënë për mua, sakrificat që ke bërë për mua, por di të të them se, gjithmonë, për festën e nënës, të kam bërë të ndihesh nënë në radhë të parë, edhe pse dhuratat e mia nuk ishin shumë të shtrenjta, ose të të plotësonin ty për atë çfarë ti ke bërë për mua, që të të jepja dhuratën që i takon një mbretëreshe, thjeshtë ishte një lule. Ose dhe thjeshtë një letër, ku unë kam shprehur gjithë dashurinë për ty. Ose edhe kur kishte ditëlindjen, rrija vonë deri zgjuar që urimin e parë të ta jepja unë. Por ajo që dua të të them sot është se, dua që të gjesh mbështetje tek unë. Ti për mua je më shumë se një nënë, je një baba që nuk e kam paur dhe jam shumë ktrenare që nuk e kam dhe që të kam vetëm ty. Nuk dua të punosh dhe të sforcohesh aq shumë sepse e shikoj çdo ditë e më shumë sa lodhesh, sa vuan. Doja të të thoja që do të jem krahu jot mbështetës, që do të punoj kudo që do të punosh ti. Sakrificat e tua janë pafund, mami ti për mua je gjithçka, ti je heroina ime, je mbretëresha ime”, ishin këto fjalët me të cilat Desara iu drejtua nënës së saj.
Zonja Dolores, teksa e konsideroi të bijën një engjëll, tha se do të vijojë të punojë që vajza e saj ta jetojë jetën si gjithë bashkëmoshatarët e saj dhe që të realizojë të gjitha ëndrrat.
Por në fund moderatori Ardit Gjebrea kishte rezervuar një surprizë tepër të veçantë për Desarën. Duke qenë një nxënëse e shkëlqyer në shkollë, asaj iu dhurua një bursë studimi nga një prej universiteteve private në Tiranë.
Marre nga TV Klan