Ekrani shqiptar do të shënojë një rikthim të shumëpritur këtë sezon me Julian Dedën dhe Xhemi Shehun, dy figura të dashura për publikun, të cilët do të marrin drejtimin e emisionit investigativ “Fiks Fare.”
Julian Deda, i njohur për publikun si finalist i Big Brother VIP 3 dhe një prej aktorëve më të dashur nga spektakli i humorit “Portokalli,” do të rikthehet në ekranin që e bëri të famshëm, kësaj here në një rol krejt të ri. Juli, i cili fitoi zemrat e shqiptarëve me grupin “The SHBLSH” dhe batutat e tij të paharrueshme, do të përballet me sfidën e moderimit të një prej emisioneve më të rëndësishme të televizioneve shqiptare.
Krah tij do të jetë Xhemi Shehu, e cila pas 21 vitesh do të rikthehet në “Fiks Fare,” ku nisi karrierën e saj televizive si velinë në vitin 2003. Xhemi, e cila ka moderuar emisione të suksesshme si “E Diell” dhe “Portokalli,” do të tregojë një anë të re të vetes në këtë sezon të ri të “Fiks Fare,” duke u rikthyer në televizion pas një pushimi disa vjeçar.
Ky kombinim pritet të sjellë një energji të re dhe dinamike në emision, duke e bërë atë jo vetëm informues dhe investigativ, por edhe argëtues. Çdo mbrëmje, Juli dhe Xhemi do të sjellin investigime, kronika denoncuese dhe intervista humoristike që do të përfshijnë problematika nga çdo cep i Shqipërisë.
Puna për përgatitjen e këtij sezoni të ri ka qenë intensive, duke prekur tema të rëndësishme që shqetësojnë qytetarët shqiptarë dhe që kërkojnë zgjidhje nga administrata dhe strukturat publike. Me një format të ri dhe një ekip të dedikuar, “Fiks Fare” do të vazhdojë të jetë emisioni më i ndjekur investigativ në Shqipëri.