Sezoni i ri televiziv në Top Channel fillon me shumë emocion dhe ndryshime të mëdha, ku një nga surprizat më të mëdha është moderimi i emisionit investigativ “Fiks Fare” nga dy figurat shumë të dashura të publikut, Julian Deda dhe Xhemi Shehu. Të ftuar në emisionin “Wake Up”, ata ndanë emocionet dhe përvojat e para të këtij bashkëpunimi të ri.
Xhemi Shehu, një emër legjendar në ekranin shqiptar, u pyet për largimin e saj nga “Portokallia”. “’Portokallia’ është dashuria e vjetër,” tha Xhemi me një ndjenjë nostalgjie. “Mund të jem ndonjëherë për ndonjë rol bashkë me Julin.” Juli, duke u përputhur me kolegen e tij, shtoi me humor: “Nëse shkon Xhemi, do të shkoj edhe unë.”
Për pyetjen se çfarë i pëlqen më shumë te Xhemi, Juli u përgjigj: “Është legjendë. Është ndër figurat më të pastra që kemi në ekran. Kam marrë shumë komente pozitive për Xhemin, sidomos komente që thonë ‘shyqyr që nuk je me ndonjë tjetër’.”
Xhemi, e emocionuar dhe me lot në sy, shprehu atë që do t’i mungojë më shumë nga “Portokallia”: “Do më mungojnë të gjithë kolegët. Janë shumë të mirë dhe do më mungojnë shumë. I uroj shumë suksese Nevinës, e di që do shkëlqejnë.”
Duke folur për reagimet pozitive që kanë marrë pas lajmit se ata do të ishin moderatorët e rinj të “Fiks Fare”, Xhemi dhe Juli ndanë përvojat e tyre: “Që nga momenti që fituam audicionet, ka filluar puna për të njohur njëri-tjetrin,” tha Xhemi. “Nuk kam marrë kurrë kaq shumë komente të mira.”
Juli shtoi: “Audicioni me Xhemin ishte më i miri. Me Xhemin u ndieva shumë rehat. Ne jemi ndryshe dhe do të sjellim një energji të re në ‘Fiks Fare’, por pa ndryshuar kornizën e emisionit legjendar.”
Në lidhje me përgatitjet për moderimin e një emisioni serioz si “Fiks Fare”, Xhemi tregoi se ndiente një përgjegjësi të madhe: “Kur fitova audicionin, kuptova se në çfarë valle kam hyrë. Nuk prisja të thërritesha për këtë rol, por u ndieva shumë e vlerësuar. Duhet të përçosh mesazhin, të bësh batuta, por të jesh serioz në fund.”
Juli foli edhe për marrëdhëniet e tyre me stafin e “Fiks Fare”: “Stafi është i jashtëzakonshëm. Dy moderatorët nuk kanë asnjë punë në raport me atë që bëjnë ata. Çdo gjë është e menduar dhe e verifikuar, dhe pastaj ne u japim zë këtyre punimeve në mbrëmje.”
Ky sezon i ri i “Fiks Fare” premton të sjellë një energji të re dhe shumë surpriza për publikun, ndërsa dy moderatorët e rinj, Xhemi dhe Juli, përgatiten për një udhëtim të ri në botën e gazetarisë investigative.