NË KOPERTINË / Pritja e Jonida Shehut për stinën më të gjatë të jetës… Prezantuesja: E pranoj, unë kam ndryshuar!
Nëse do ta nisja hyrjen e kësaj interviste me mendimin e parë që më vjen për personazhin e kopertinës, do të thoja: Jonida është e mirë. E këtë nuk e them nga njohja personale apo nga ato pak biseda goja-gojës që kam bërë me të. E them me syrin e një njeriu që këto 15 vite e ka parë spiekeren e prezantuesen syshkruar nga ekrani i vogël. Bashkë me informacionin, pyetjet e përgjigjet, ajo ka përçuar tek shikuesi edhe mirësi. E sigurisht që për këtë, sot hyn në listën e ngushtë të personazheve të dashur për shqiptarët. Ndoshta falë kësaj mirësie ne na kanë qëndruar mirë edhe kalimet e befta të saj, nga studio e lajmeve në një divan bisedash, apo nga një televizon në tjetrin. Sot e kemi më pranë se kurrë, teksa na viziton çdo pasdite, nga “Top Channel”. Jonida thotë se e do shumë këtë program. Po ashtu thotë se e do shumë këtë verë, jetën, ndryshimin… Në këtë rrëfim krejt të veçantë për revistawho.com, i pari në llojin e tij për Jonidën (se në kopertinën tonë jo pak herë kanë kaluar nëna famoze), ajo tregon gjithë përjetimin e një vajze që po bëhet nënë, duke kërkuar edhe një ndjesë publike… Kujt?! Ju ftojmë ta zbuloni vetë në rreshtat e mëposhtëm.
Kjo duhettë jetë vera më e veçantë e jetës tënde… Si na e përshkruan?
Ka qenë në fakt një verë e gjatë me ditë shumë të nxehta që më dukej sikur s’do mbaronin kurrë. Por realisht është aq e veçantë e ndryshe nga verat e tjera saqë nuk më vjen fare keq dhe nuk kam ndjenja mërzie që nuk bëra dot një ditë plazh e udhëtimet e shumëdëshiruara.
A ka ndryshuar mendimi yti parë dhe i funditi ditës?
Mendimet dhe preokupimet janë po ato që kanë qenë, veç të veshura me tjetër qetësi dhe dëshirë njëkohësisht, për të bere gjërat e përditshme. Çuditërisht jeta merrka trajtat dhe ngjyrat e prioriteteve në kohë të caktuara. Ajo që kam kuptuar se ka ndryshuar tek unë dhe tek të tjerët parë nga unë, është se gjithçka është thjeshtësuar ndryshe nga ç’jam mësuar t’i komplikoj gjërat në përgjithësi.
Si e përfytyron portretin e vajzës? Kujt do të doje t’i ngjante?
S’kam dot përfytyrime të qarta. Do të doja të na ngjante të dyve, por çuditërisht në të gjithë vorbullën e thjeshtësive, këto kohë edhe ky mendim ëshë i thjeshtë. T’i ngjajë kujt të dojë… Ka shumë pak rëndësi për mua kjo pjesë për momentin.
A u gëzove kur mësove se do të bëhesh me vajzë? Po partneri yt?
Kjo gjë ka kaluar në tre etapa. Fillimisht mendoja se do të ishte një djalë. Pastaj mësova që do të ishte një vajzë dhe ishte pak e turbulltë ndjesia. Tani nuk do të doja kurrsesi të ishte ndryshe. Në këtë periudhë me këto historitë e gjinisë së bebeve në pritje jam argëtuar shumë dhe me mentalitetin që nuk e njihja fare në këtë pjesë… Takoja njerëz që për të më thënë një fjalë të mire më uronin “Me një djalë!”. Kur ju thoja se pres një vajzë më përgjigjeshin: “S’ka si vajzat, duhet të jesh shumë e lumtur”. Akoma se kam të qartë, shqiptarët duan djem, po janë shumë të lumtur me vajzat… Po e analizoj akoma këtë gjë (qesh).
Të vjen keq që e kalove dasmën si etapë, apo mbetet ende në plan për më pas?
Dasmën?! Fare. Do të doja më shumë një festë për të mbledhur miqtë, një arsye më shumë, po dasma nuk ka qenë kurrë një synim i domosdoshëm për ne. E kemi konsideruar si diçka jo shumë të domosdoshme.
Thonë se shtatzënia i ndryshon femrat… Me ty ka ndodhur kjo?
Kërkoj ndjesë publikisht që kam paragjykuar çdo grua shtatzënë që ka bërë deklarata të tilla për ndryshim. Edhe unë kam ndryshuar. Siç thashë më sipër më janë thjeshtuar pak gjërat në kokë dhe s’kam atë ankthin e pritshmërive për çdo gjë të vogël, që sot pa ardhur ende bebi duken të parëndësishme. Gjërat kur je përpara një jete të re relativizohen, ose marrin rëndësinë që duhet të kenë. Të mëdhatë dhe të rëndësishmet vendin e tyre (dhe janë gjithmonë e më pak) dhe të voglat e të parëndësishmet cepin e tyre (dhe janë gjithmonë e më shumë).
Do kthehesh shpejt në televizion e pak ditë do e shijosh me kohë të plotë të voglën. Të vjen keq?
Të them të drejtën kjo mendoj se do të jetë pjesa më e vështirë e kësaj historie, por do t’ia dal.
Sa e do Jonida “Pasditen në Top Channel”?
E dua ‘Pasditen’ sa çdo punë tjetër që kam bërë në televizion në këto 15 vjet. Shumë domethënë. Sepse sado e thjeshtë të duket, një program i përditshëm të kërkon të investosh gjithë energjinë dhe veten tënde. Nëse dashuria për të nuk është e padiskutueshme, nuk mund ta zgjasësh dot shumë këtë angazhim. Të kthehet në vuajtje dhe torturë të vërtetë.
E suksesshme në karrierë, po aq në dashuri e tani së shpejti nënë. Mjaftojnë këto për t’u ndjerë plot? Çfarë mund të kërkosh më shumë?
Çdo sukses apo arritje është i diskutueshëm në të gjitha planet… E rëndësishme është të mos humbasë dëshira për të vazhduar, të ketë kuriozitet dhe pasion e të tjerat, përfshi grimcat e kënaqësisë e lumturisë, janë aty rrugës. Ne e plotësojmë veten çdo ditë edhe me gjërat e vogla, dhe unë bëj të njëjtën gjë… Ndihem që jetoj për t’u plotësuar. Është një proces i njëjtë besoj për të gjithë pavarësisht kush jemi, ku jemi dhe si jemi. S’mund të kërkoj e as duhet të kërkoj diçka më shumë, po shumë më shumë ditët që s’kanë ardhur na
ofrojnë me kërshëri. Rrugëtimi i kërkimit është i pashmangshëm, ne të gjithë kërkojmë çdo ditë. Unë do të vazhdoj t’i kërkoj përgjigje pyetjeve me të cilat ende s’jam përballur
Nga revistawho.com / Fotot: Endrit Mërtiri/ Hair & Make Up: Suela Çangu / Falenderime speciale për Chateau Rexhekri