Sezoni i ri televiziv duket se do të sjellë ndryshime në programet e pasditeve. Pas lajmit se Orinda Huta nuk do të jetë më as autore dhe as bashkëprezantuese e programit “Vizioni i Pasdites” në “Vizion Plus”, një tjetër lajm vjen nga “Top Channel”. Në këtë sezon të ri, programi “Pasdite në Top Channel” do të ketë për autore dhe prezantuese Jonida Shehun. Pozicioni i autores së programit i ka takuar prej shtatorit të 2012-ës Dori Dakës, ish-zv-kryeredaktores së gazeta “Shqip”.
Por kjo nuk është hera e parë që Jonida Shehu përballet me sfidën e autorësisë. Më herët ajo ka qenë autore dhe drejtuese e programit “Natën Vonë” në “Ora News” dhe e formateve të ngjashme ‘talk show’ në “Albanian Screen”. Vetëm disa ditë më parë në intervistën për kopertinën e Revista Who, Jonida Shehu iu përgjigj kështu pyetjes sonë mbi dashurinë që ka ajo për ‘Pasditen’. “E dua ‘Pasditen’ sa çdo punë tjetër që kam bërë në televizion në këto 15 vjet. Shumë domethënë. Sepse sado e thjeshtë të duket, një program i përditshëm të kërkon të investosh gjithë energjinë dhe veten tënde. Nëse dashuria për të nuk është e padiskutueshme, nuk mund ta zgjasësh dot shumë këtë angazhim. Të kthehet në vuajtje dhe torturë të vërtetë”, – tha ajo.
Nuk dihet ende se cilin koleg të medias do të ketë rival në pasditen e “Vizionit”, por si prezantuese është rikonfirmuar Anila Çela. Sakaq, siç dihet tashmë me rikthimin në ekran Rudina Magjistari nuk do të ketë me një emision pasditeje, por mesdite. Mësohet gjithashtu se është në pikëpyetje edhe programi i pasdites në “TVSH”, në të cilin me ardhjen e drejtorit të ri i janë dhënë fund projekteve të së shkuarës, duke synuar përmirësimin dhe risitë në sezonin e ri.