Jonida Maliqi me këngën “Ktheju tokës” me muzikë dhe poezi të Eriona Rushitit, është fituese e Fest’ 57. Ajo u shpall fituese pas tre netë konkurrimi mes 22 krijimesh të përzgjedhura për Fest ’57. Maliqi do të përfaqësoj Shqipërinë në Tel Aviv në Eurosong. Më parë këngëtarja kishte shprehur ambicjen e saj për të marrë pjesë në këtë ngjarje të muzikës europiane.
Ndërkaq Marko Strazimiri dhe Imbro me këngën “Lejla” ishin fitues të çmimit të të rinjve, ndërsa çmimi i medias për Eranda Libohovën .
Jonida Maliqi, këngëtarja me vokalin e veçantë dhe stilin e pangatërrueshëm, ka prekur skenën e Festivalit të Këngës që në moshën 13 vjeçare në duetin me Aleksandër Rrapin, “Planeti i fëmijëve”, në vitin 1995 dhe dy vite më pas në duet me Kastriot Tushën, “Flas me engjëllin tim”.
Me një pjekuri tjetër artistike, Jonida prezantohet në vitin 1999 me këngën “Do jetoj pa ty” dhe në tre vitet pasardhëse me këngët “Çast”, “Ik” dhe “Do humbas me ty”. Rikthimi i saj në vitin 2004 me këngën “Frikem se më pëlqen” do të shpërblehej me çmimin e tretë. Dy vite më vonë Maliqi prezantohet me këngën “Pa identitet” dhe në Fest’ 46 me këngën “S’ka fajtor në dashuri”.
Me sukses ka prezantuar edhe Festivalin e 49-të të Këngës në RTSH. Ajo u kthye në Fest ’57 pas 11 vitesh.