Mimoza Llastica është rritur dhe jeta e saj nuk rrotullohet më te filmi. Ajo ende nuk e ka gjetur një mënyrë për të plotësuar atë boshllëk që i la ëndrra që nuk e vazhdoi dot. Në Zvicër, aty ku jeton, ka marrë iniciativa për të plotësuar disi këtë anë të parealizuar, por vendin e filmit nuk e ka mbushur akoma dhe beson se ka ende kohë për këtë. “Kam ndihmuar në realizimin e disa pjesëve teatrale për fëmijë, – tregon ajo, – sepse, kur lashë punën, kur ime bijë ishte 7 vjeçe, unë isha 40, dhe në këtë moshë është shumë e vështirë të rifillosh aty ku e ke lënë karrierën si artiste, e sidomos në një vend të huaj.”
Sidoqoftë, brenda vetes Zhaklina zbuloi një rol të ri, i cili do ta mbante të lidhur me të bukurën. E zhvendosur në Zvicër prej më shumë se 10 vjetësh, pasi bashkëshorti i saj është zviceran, ajo vendosi të ngrinte dhe drejtonte një qendër estetike. Pasi e vuri në funksion, hoqi dorë nga menaxhimi i saj dhe për momentin, Zhaklina është e fokusuar në aktivitetet e bamirësisë. Pozicioni i punës së bashkëshortit, i cili është shefi i përgjithshëm i policisë në kantonin e Bernës, e favorizon që të ndërmarrë nisma të tilla. “Unë udhëtoj shpesh dhe disa herë në vit vij edhe në Shqipëri për të vizituar prindërit, pasi janë në moshë të thyer dhe kanë nevojë për përkujdesje. Duke qenë se njerëzit e dine që im shoq ka njëfarë pozite në Bernë, më drejtohen për ndihmë, gjithmonë conform ligjit. Kjo gjë më merr një pjesë të mirë të kohës. Asnjë s’e di se sa të angazhuar më mban kjo.
Gjithashtu, një rëndësi të veçantë i kam kushtuar edhe mbledhjes së ndihmave. Një kontribut të madh të këtyre ndihmave, e kemi dërguar në Himarë, vendin e origjinës sime. Jam gjithnjë në kërkim të mundësive për të dhënë ndihmën time. Për shembull, kompjuterët, të cilët policia në Zvicër i nxjerr nga përdorimi dhe janë në gjendje të mirë pune, unë gjej mundësitë t’i sjell këtu. Në janar, në Zvicër erdhi për t’u trajnuar një grup prej tetë vetash nga Himara. Të gjitha organizimet për këto gjëra kërkojnë kohë.” Këtë ndihmë, Zhaklina nuk e bën për të përfituar apo në emër të ndonjë organizate. E bën tërësisht në mënyrë individuale dhe anonime. Ajo është edhe përfaqësuese e një shtëpie diskografike në Shqipëri dhe aktualisht është duke mbledhur fonde, të cilat do të shkojnë për ristrukturimin e disa filmave shqiptarë për fëmijë, një prej të cilëve edhe “Mimoza llastica”.
“Mendoj se së shpejti, kontributi im do të sjellë edhe angazhimin tim në kinematografi, por për arsye besëtytnie nuk dua të tregoj më shumë. Kam marrë disa oferta e ndoshta prania ime më e shpeshtë në Shqipëri, si dhe pjesëmarrja në festivalin e fundit në RTSH, më kanë rikthyer në vëmendje.”
Ajo shprehet se e kishte përfytyruar veten edhe në rolin e prezantueses së këtij festivali, por thotë që në Shqipëri shumë herë e gjen veten jashtë aktualitetit. “E di që këtu nuk kam shumë mundësi, sepse një grua në moshën time në Shqipëri është e përjashtuar dhe pak e përfaqësuar. Ndërkohë që, një grua në moshën time në televizionin italian është një gjë e zakonshme. Mua më irriton kjo gjë,” – shprehet Zhaklina.