Gjykata e Tiranës ka dhënë ditën e sotme masën e sigurisë “Arrest me burg” për efektivin e Shqiponjave Nevaldo H., i cili akuzohet se ka qëlluar me armë zjarri 25-vjeçarin Klodian Rasha, duke i marrë jetën.
Efektivi 25-vjeçar i Forcave “Shqiponjave” mësohet se ka thënë në sallën e gjyqit, se donte që familjarët e Klodianit të ishin prezent, në mënyrë që t’i kërkonte falje. Po ashtu ai i ka kërkuar i penduar gjyqtares së cështjes që të merrte çfarë venedimi të donte pasi tashmë ai “kishte vrarë një njeri”.
“Kjo që më ka ndodhur mua mos i ndodhtë askujt. Merrni çfarë mase të doni, kam vrarë një njeri. Njoftova sallën, kërkova përforcime. Gjithçka ndodhi për 4-5 minuta”,- ka thënë ndër të tjera Nevaldo H në sallën e gjyqit.
Kujtojmë se sipas informacioneve të deri tanishme, në orët e para të mëngjesit në datën 8 dhjetor, efektivi i Shqiponjave bashkë me një koleg ishin duke patrulluar në rrugën “Dritan Hoxha” dhe aty konstatuan të riun Rasha që qëndronte pranë një peme. Ata i kanë kërkuar të afrohet, por në atë moment ai është larguar me vrap. Efektivi Nevaldo H. i është vënë pas dhe në ndjekje e sipër dyshohet se e ka qëlluar me armë zjarri, gjë e cila re.zultoi fatale. Ai e ka dërguar vetë me autoambulancë trupin e 25-vjeçarit në spitalin e Traumës, por fatkeqësisht ai kishte ndërruar jetë.
Ngjarja e rëndë ka sjellë pasoja për dy ditë me radhë në Tiranë, madje sot është paralajmëruar edhe një e tretë, ndërsa ka sjellë edhe dorëheqjen e ministrit të brendshëm, Sandër Lleshaj, që është pranuar nga kryeministri Edi Rama ditën e djeshme.