Njeriu më i pasur në botë Jeff Bezos është tërhequr sot nga drejtimi i kompanisë Amazon, 27 vjet pas krijimit të rrjetit bashkë me ish-gruan, që tashmë vlerësohet në $1.7 trilionë.
57 vjeçari njoftoi vendimin me një letër për 1.3 milionë punonjësit e Amazon ku insistonte se nuk po jep dorëheqjen por dëshiron të fokusohet në “pasionet” e tij si hapësira dhe ndryshimet klimatike.
Ai do të zëvendësohet nga kolegu i tij 53-vjeçari Andy Jassy, aktualisht drejtues i shërbimeve të Amazon Web.
Bezos nuk dha shpjegime për arsyet apo kohën e vendimit të tij por zhvillimi vjen në një kohë kur Uashingtoni ka shtuar monitorimin për praktikat e biznesit të gjigandit të shitjeve.
Rrjeti është përfshirë nga hetime anti-trust dhe pikëpyetje për trajtimin e punonjësve të tij gjatë pandemisë.
Bezos u thirr para Kongresit në korrik për t’u përgjigjur ndaj akuzave se Amazon dhe gjigandë të tjerë të teknologjisë kanë shfrytëzuar pozitën e tyre për të eliminuar konkurrencën.
Bezos thoshte në njoftim se nuk po dorëhiqet por është i emocionuar për tranzicionin e ri.
Ai shkruante se roli që ka kryer për një kohë të gjatë ishte “konsumues” dhe nuk e lejonte të kalonte vëmendjen në diçka tjetër.
“Unë do të qëndroj i përfshirë në shumë iniciativa të Amazon por duhet që energjitë e mia t’i fokusoj në projektet Day 1 Fund, Bezos Earth Fund, Blue Origin, The Washington Post, dhe pasione të tjera”, tha ai.
Bezos themeloi Amazon me 1994 me ish-gruan e tij MacKenzie, çka e bëri njeriun më të pasur të botës me $188 miliardë.