Eksperienca në “Big Brother Vip” përveç fituesit Ilir Shaqiri, solli vëmendje të madhe edhe drejt bashkëshortes dhe vajzës së tij. Teksa balerini është i rezervuar sa i përket vajzës së tij nëpër intervistat që jep, kurioziteti për të ditur më shumë rreth Emily Shaqirit mbetet i madh.
Numri i ndjekësve të saj në rrjetet sociale u rrit me shpejtësi pas hyrjes së Ilir Shaqirit në BBV, dhe intervistave të saj dhe Emanuelës nëpër televizione të ndryshme. Kështu Emily ndiqet me shumë kuriozitet nga ndjekësit e saj, për të ditur më shumë edhe rreth jetës së saj private.
Së fundmi ajo është pyetur nga një ndjekës në profilin e saj në “Instagram” nëse është beqare. Ajo vendosi t’i përgjigjej kësaj pyetjeje përmes një videoje ku shihet pranë Iliri dhe Emanuelës. Me shaka ajo thotë se “nuk është beqare dhe është në një lidhje”, ndërsa e kthen kamerën te babai i saj për të parë si do të reagojë. Ilir e shikon i habitur, ndërsa e pyet se me kë. Në atë moment Eimly kthen telefonin nga macja e saj.
Nga ana tjetër, teksa e ka ripostuar në Instastory, Iliri shkruan se “po qesh nga halli.”
Brenda shtëpisë së BBV, dhe më pas jashtë Iliri ka treguar se ka një lidhje shumë të ngushtë me Emilin.
Balerini Shaqiri ka treguar më parë edhe një moment të “sikletshëm” me vajzën e tij. Ai rrëfeu herën e parë që vajza e tij i tregoi se pëlqente një djalë. Balerini u shpreh se në ato momente ndodhej duke ngrënë dhe i ngeci ushqimi në fyt nga ky lajm.
“Në drekë tha, babi dua të të them diçka. Dhe unë siç isha duke ngrënë bukë, hë?! Hera e parë që vajza më thotë që më pëlqen një djalë. Thash se më plasi zemra. Ç’janë këto i thashë po vazhdo e ha bukë. Më ngeci kallamari në fyt. Po pse më tha s’kam të drejtë të më pëlqejë një djalë. Ç’ke pëlqe babin ti. Pastaj e përtypa kallamarin edhe pas 10 minutash e pyeta kush është ky tipi,”-është shprehur fituesi i BBV.
Kujtojmë se Emily është vajza e vetme e Ilir Shaqirit dhe bashkëshortes së tij, aktores italiane, Emanuela Morini. Ndonëse në moshë të vogël, Emily ka ndjekur hapat e prindërve të saj si balerinë, aktore dhe këngëtare pasi ka publikuar disa këngë. Sakaq, Iliri ka treguar gjatë “Big Brother VIP” se ai dhe bashkëshortja e tij kanë dëshirë të kenë edhe një fëmijë tjetër.