Në Tiranë dhe jo vetëm, është kujtuar 8 dhjetori 1990, ku lindi Lëvizja Studentore. PD, PS dhe përfaqësues të asaj lëvizje kanë kryer aktivitet dhe homazhe te busti i Azem Hajdarit, ndërsa nuk kanë munguar dhe reagimet. Gazeta “SOT” kontaktoi me Kreshnik Spahiun, pjesëtar i asaj lëvizje.
Në një prononcim për gazetën, Spahiu ka hedhur dritë mbi gjithë zinxhirin e ngjarjeve, ndërsa akuzon ish-kryeministrin Berisha se rrëmbeu protestën studentore me urdhër të Ramiz Alisë. “Ishte ora 21:00 e mbrëmjes. Pas një shkëndije në gjeneratorin elektrik të konvikteve shoku im i fakultetit Azem Hajdari doli në rrugë.
Brenda 30 minutash ne u mblodhëm nga gjitha anët dhe e mbajtëm zjarrin e protestës 4 ditë rresht pa e ndalur. Atë mbrëmje dhjetori unë isha atje. Së bashku me Azem Hajdarin dhe Arben Ristanin ishim si përfaqësues të Fakultetit të Shkencave Politike-Juridike. Papritur erdhi ai së bashku me Gramoz Pashkon.
Nuk e njihja, por quhej Sali Berisha. Kishte dy kërkesa: 1- Të shpërndaheshim me qetësi sepse sipas tij, demonstratat ishin inspiruar nga agjentë serbë të UDB; 2- Kërkoi që të ishte një nga personat që do shkonin tek Ramiz Alia për takim me grupin e studentëve.
Kërkesat e tyre ngjallën reaksionin e gjithë studentëve. Dy studentë të arteve na bindën që ata janë spiunë të Ramiz Alisë dhe ne votuam kundër. U refuzuan dhe u fishkëllyen. Pa u zgjatur me histori që i keni dëgjuar me dhjetra herë po ju rikujtoj se pas 4 ditësh u shpall Partia Demokratike me 338 themelues dhe firmëtarë. Ai u rishfaq sërish aty dhe rrëmbeu mikrofonin pas Azemit për të marrë protagonizëm me çdo kusht”, tha ai.
Berisha i shërbeu Alisë
Kreshnik Spahiu është i bindur se Berisha ishte me mision nga Ramiz Alia. Sipas tij, ai e çoi deri në fund amanetin, duke mos lënë në PD asnjë prej themeluesve të saj. “Nuk e krijoi Berisha, madje për kujtesë të miliona shqiptarëve, kryetar u zgjodh Azem Hajdari dhe disa muaj më pas i zuri vendin e kryetarit ky me klanin komunist.
E mori kontrollin dhe shfarosi çdo kënd duke shkruar vetë historinë. Dikush që po më lexon ndoshta nuk do më besojë por sot s’do bëj asnjë koment sepse fakti me dokumente që po publikoj flet vetë. Sali Berisha i eliminoi 100% themeluesit.
Asnjë nga 338 themeluesit e PD nuk janë sot as deputetë dhe as anëtarë të Kryesisë të PD me përjashtim të një emri. Ai quhet Sali Berisha. Eliminoi gradualisht të gjithë: Abdi Baletën; Petrit Kalakullën; Ridvan Peshkopinë; Uran Butkën; Tomor Dostin; Tomor Malasin; Azem Hajdarin; Zenel Hoxhën; Aleksandër Meksin…”, tha Spahiu.
Sipas tij Berisha do mbetet si besëpreri më i madh në vend. Madje ai u është përgjigjur dhe kritikave për themeluesit e tjerë të PD. “Dikush do thotë: “Edhe këta nuk ishin burra të mirë”. Po mirë o njerëz, të gjithë dolën burra të këqij dhe vetëm Berisha ishte burrë. Jo të nderuar miq. Në rastin më të mirë ai e kishte mision shkatërrimin e disidencës anti-komuniste që lindi në Shqipëri. Në rastin tjetër ai është monstra dhe besëpreri më i madh i kombit, madje më i rrezikshëm se Enver Hoxha pasi ky i nxjerr në pritë dhe u ngul thikën pas shpine të gjithë miqve. Asnjëri nuk është sot në Parlament. Ai kishte eliminuar me keq se Enver Hoxha çdo themelues. Amanetin e Ramiz Alisë e ka zbatuar me besnikëri duke shkatërruar të djathtën dhe mos lejuar krijimin e një opozite reale. 30 vjet ai e dëmtoi Partinë Demokratike dhe të djathtën më shumë se socialistët”, tha ai