Edhe viti i ri akademik do të nisë në përshtatje me kushtet e “normalitetit të ri”. Pas kthimit në auditorë të studentëve të viteve të ndërmjetme, në muajin nëntor pritet të hapen universitetet.
Artan Hoxha, tashmë rektor i Universitetit të Tiranës, në daljen e parë publike ka dhënë disa informacione se si do të nisë ky vit, në pritje të marrjes së një udhëzimi të ngjashëm me shkollat nga Ministria e Shëndetësisë, i cili do të diktojë rregullat e sigurisë.
Mësimi me turne, një praktikë e përvitshme, do të shoqërohet me orë të shkurtuara e madje edhe me mësim të kombinuar, online dhe në klasa.
“Po përgatitemi me situatën që është sot. Nëse situata ndryshon, do të ketë ndryshime edhe në mënyrën e mësimdhënies. Do ketë koordinim të mësimit në salla dhe atij online, por këtë do na e tregojë ecuria e sëmundjes.
Gjithsesi,secila nga format që do të zhvillohet, për ne duhet të garantojë që të ketë sa më pak përhapje të virusit. Ne kemi mësim paradite dhe pasdite. Ajo që do të kërkohet është që oraret e mësimit të jenë më të shkurtra, sidomos të leksioneve. Të kërkohet përfshirja e më shumë pedagogëve në procesin mësimor, do përdorim të gjitha sallat që kemi.
Aktualisht, ne kemi një protokoll të ri të Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Shëndetësisë. Nëse do të kemi një të ri, sigurisht që do ta zbatojmë”, deklaroi Hoxha
Muaji tetor, periudhë kur duhej të niste viti i ri akademik, është rezervuar për dhënien e provimeve të vitit të shkuar akademik, ndërsa në muajin nëntor pritet të nisë procesi mësimor për studentët e rinj.