Matja e shikimeve televizive konsiderohet si shërbim strategjik në çdo demokraci moderne, pasi përmes saj, jo vetëm që orjentohet tregu publicitar, por mund edhe të cenohet konkurrenca e ndershme ndërmjet televizioneve. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kushtojnë këtij sektori një vëmendje të madhe, duke i deleguar shtetit rolin e garantit dhe të kontrollorit të shoqërive që merren me matjen e audiencës.
Në Itali, për shembull, falsifikimi i të dhënave të shikimeve televizive, ose shpërndarja e të dhënave false të shikimeve në mënyrë të qëllimshme, apo të mbledhura nëpërmjet metodologjive të gabuara, konsiderohet krim nga Kodi Penal, me një dënim të mundshëm deri në gjashtë vjet burgim.
Neni 1 i Ligjit 249 të 31 korrikut 1977, që krijoi Agcom-in (ent i cili i korrespondon AMA-s shqiptare) parashikon që “manipulimi i të dhënave të shikimeve përmes metodologjish që dihet se janë të gabuara, ose përmes përdorimit të ndërgjegjshëm të të dhënave të rreme dënohet sipas Nenit 476, pika 1, të Kodit Penal”.
Po si ka mundësi që në Shqipëri ky funksion delikat të jetë sot e kësaj dite i lënë në mëshirë të abuzimeve dhe anarkisë dhe pa asnjë lloj rregulli?
Ndryshe nga çfarë ndodhi 30 vjet më parë në Itali (dhe në pjesën më të madhe të vendeve të Bashkimit Evropian, të cilat prej kohësh kanë vendosur rregulla në këtë sektor), ligji 97 i vitit 2013 mbi mediat audiovizive në Shqipëri, i cili, ndër të tjera, krijoi AMA-n, i ka kushtuar pak vëmendje matjes së shikimeve televizive.
Neni 19, ndër funksionet e AMA-s, përmend “garantimi i konkurrencës së ndershme” dhe pikërisht në funksion të këtij detyrimi, që rrjedh nga ligji, AMA duhej të kishte kompetencën – në mos po detyrimin – të ndërhynte në kaosin e matjeve të audiencës televizive dhe të verifikonte nëse shoqëritë që operojnë në këtë sektor në Shqipëri garantojnë apo jo rregullat e korrektësisë, transparencës dhe cilësisë, që ekzistojnë në të gjithë vendet e Bashkimit Evropian.
Kemi parë që në Shqipëri operon një shoqëri si Abacus shpk, e cila nuk disponon as kapital, as teknologji, as personel të përshtatshëm për të garantuar standarde të tilla dhe së cilës nuk i njihen as pronarët e vërtetë. Por, që operon njësoj si Auditel, shoqëria, e cila në Itali kryen matjet e shikimeve televizive. Por çfarë detyrimesh parashikon ligji europiane për shoqëri të këtij lloji?
Kërkesa e parë për një shoqëri që operon në këtë sektor është besueshmëria dhe pavarësia: për këtë arsye, Bashkimi Evropian sugjeron modelin e “Joint Industry Commitee (JIC)”, domethënë një organizëm me kontroll të kryqëzuar, që bashkon të gjithë përbërësit e tregut televiziv: investitorët e reklamave, agjencitë publicitare dhe televizionet, si publike, ashtu dhe private. Kështu, Auditel është një “JIC”, që ofron garanci të madhe pavarësie.
Por nuk mjafton, pasi kampioni i familjeve që monitorohen individualizohet nga një shoqëri e jashtme, e specializuar në sondazhe (IPSOS), e cila është e detyruar të përdorë kampionet statistikore të INSTAT-it, ndërkohë që të dhënat e secilës prej 16.000 familjeve të monitoruara grumbullohen dhe përpunohen materialisht nga një shoqëri e katërt, Nielsen, e cila operon në të gjithë botën pikërisht në këtë sektor. Kampioni i familjeve të monituara në mënyrë të vazhdueshme përditësohet nga Ipsos dhe Nielsen dhe çdo vit 20% e familjeve ndryshon.
Si një garanci e mëtejshme e transparencës, Agicom (pra AMA shqiptare) ka dy përfaqësues të saj tek komiteti teknik i Auditel-it. Matja e shikimeve televizive në Itali, pra, verifikohet në të njejtën kohë nga katër shoqëri të ndryshme, që merren me pjesën teknike, nga investitorët publicitarë, nga agjencitë e komunikimit, nga vetë televizionet e monitoruara dhe në fund edhe nga shteti. Dhe, në rast se dikush abuzon, rrezikon burgun për gjashtë vjet.
Po në Shqipëri? Nuk ka asgjë të tillë. Këtu “monitorimi i shikimeve” bëhet nga një shoqëri-kioskë, e cila ka zgjedhur 5 apo 10 familje si “kampion” pa asnjë kriter serioz statistikor dhe janë të njejtat familje për gjashtë vite rresht; sajon të dhëna shikimesh sipas metodologjive misterioze dhe pastaj ua shet ato investitorëve publicitarë, agjencive të komunikimit dhe televizioneve që do ajo, pa transparencën minimale dhe duke i paraqitur ato si të vërteta. E gjithë kjo, ndërkohë që shteti nuk merret as minimalisht me këtë çështje.
Ligji italian e detyron Agicom-in “të jetë i vëmendshëm lidhur me korrektësinë e hulumtimeve mbi shifrat e shikimeve dhe të shpërndarjes së mjeteve të ndryshme të komunikimit, të kryera nga subjekte të tjerë, duke bërë verifikime mbi përshtatshmërinë e metodologjive të përdorura dhe krahasime lidhur me vërtetësinë e të dhënave të publikuara, si dhe mbi monitorimet e transmetimeve televizive dhe mbi punën e ndërmarrjeve që kryejnë këto hulumtime; (…)”.
Ndërsa në Shqipëri nuk ka asnjë kontroll. Këtu sektori i matje te audienca televizive zhvillohet në errësirë të plotë, pa rregulla dhe pa transparencë, duke dëmtuar, jo vetëm konkurrencën e ndershme mes televizioneve, por duke goditur dhe mashtruar edhe investitorët publicitarë, që orjentojnë kapitalet e tyre dhe bëjnë reklamë duke u bazuar mbi shikimet që përmbahen në raporte shpesh të rremë apo të manipuluar.
d.c./shqiptarja.com