Më datë 25 prill shqiptarët do u drejtohen qendrave të votimit për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2021.
Kjo datë është dekretuar nga ana e presidentit Ilir Meta në mbështetje të Kodit Zgjedhor.
“Zgjedhjet për Kuvendin të zhvillohen ditën e diel, më datë 25 prill 2021.” thuhet në dekretin e Metës.
Kjo datë vjen pas konsultimeve gjatë ditës së premte mes presidentit Meta dhe kryetarëve të partive kryesore politike në vendin tonë.
Për kryeministrin Edi Rama, nuk ishte problem data e zgjedhjeve duke thënë se ishte i gatshëm të pranonte cilëndo datë. Nga ana tjetër edhe opozita nuk dha ndonjë datë konkrete por thanë se duhen sa më shpejtë dhe se zgjedhjet duhet të jenë të lira e të ndershme.
D E K R E T
PËR CAKTIMIN E DATËS SË ZGJEDHJEVE PËR KUVENDIN
Në mbështetje të nenit 65, pikat 1 dhe 2, 92 shkronja “gj” dhe 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe të nenit 8, 9, pikat 1 dhe 4 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe pas konsultimit me partitë politike mbi caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë,
D e k r e t o j:
Neni 1
Zgjedhjet për Kuvendin të zhvillohen ditën e diel, më datë 25 prill 2021.
Neni 2
Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.
Nr. Dekreti 11700
Tiranë, më 06.09.2020
PRESIDENTI I REPUBLIKËS
ILIR META