Ardit Gjebrea është mësuar të shoqërohet në spektaklet e tij me miss-e me kurorë bukurie, por këtë herë do të ketë në krah si prezantuese të edicionit të 18-të të Këngës Magjike, një vajzë me kurorë princeshe.
Elia Zaharia, bashkëshortja e Princ Lekës, do të shfaqet në skenën e Pallatit të Kongreseve për të prezantuar festivalin e njohur në tri ditë, 7, 8 dhe 10 dhjetor, pranë producentit, Ardit Gjebreas.
Anabel ka sjellë ekskluzivisht lajmin që burime të sigurta të Dritare.net e kanë konfirmuar gjithashtu.
Gjebrea shquhet për zgjedhjet pikante të shoqërueseve të tij, të cilat zakonisht vijnë nga jashtë Shqipërisë, por këtë herë nuk ishte e nevojshme. Elia Zaharia, vajza që tërhoqi aq shumë vëmendje në dasmën mbretërore, është zgjedhja ideale. Interesi do të jetë në maksimumin e tij për të parë princeshën e re në rolin e prezantueses.
Zgjedhja bëhet edhe më e mirë, po të marrësh parasysh edhe që ajo e ka provuar atë skenë si këngëtare dhe është aktore në profesion.