Ende pa u përtypur mirë deklaratat e presidentit Ilir Meta se “amerikanët e Ramës i kapte nga veshi“, apo se në rast të mandatit të tretë “do të bëhem kryetari i opozitës”, Edi Rama ia behu në Rinas. Pa e pritur askush, kryeministri u rishfaq në spektaklin e mbërritjes së kutive me vaksina, të cilat kësaj here duhet pranuar ishin më të konsiderueshme. Jo një pako, por dy…
Në një ecejake të çuditshme ardhja e vaksinave dje në Rinas u paraprin nga një sërë peripecish. Duke u fshehur pas burokracive të Pfizer, ministria e Shëndetësisë njoftoi se vaksinat do të vinin 24 orë me vonesë.
“Sapo kemi marrë njoftim nga kompania dhe autoriteti përgjegjës për transportin e sigurt të vaksinës, se sasia e vaksinave Pfizer, e konfirmuar për të mbërritur mbrëmjen e sotme, shtyhet me 24 orë”.-thoshte Ministria, ndërsa Rama ndodhej në Bruksel, nga ku mori përshtypje të mira, por asnjë datë konkrete.
Disa orë më vonë, kur askush se priste, ERTV hyri Live dhe kryeministri u shfaq në Rinas. Ndoshta shumë nuk do e besonin që ky transmetim ishte i paregjistruar, nëse s’do të dallohej se edhe veshja e Edi Ramës ishte e njëjtë me atë të Brukselit.
Si i zënë në faj, me një zë gati të mekur, Rama doli live dhe njoftoi se jo vetëm 15 mijë dozat e premtuara erdhën bashkë me të nga Brukseli, por edhe mijëra të tjera do të vijnë në prill. “Kanë ardhur 15 mijë doza sot. Kemi marrë konfirmimin nga Pfizer që do të vijnë 30 mijë doza në muajin prill. Kam shumë besim se shumë shpejt do të kemi një lajm shumë të mirë, nga në një anë sepse kemi ndërkohë të konfirmuara 14 mijë dozat e para nga Covax dhe absolutisht jam shumë besimplotë se do të kemi mundësinë e një vaksinimi intensiv dhe do të thyejmë zinxhirin e infektimit. Dhe ta bëjmë këtë sezon me infektime me rënie drastike, ku Shqipëria të jetë e hapur për turistët të cilët duan të vijnë.”-tha Rama.
Me fikjen e transmetimit, u kuptua se Rama kishte mbërritur në Shqipëri, ndërsa ajo që është më e rëndë është se edhe itinerari i vaksinave, në mënyrë të habitshme, ndoshta të pagjendshme askund, përputhet me atë të kryeministrit.
Por për të kuptuar më mirë sesi po menaxhohet në funksion të fushatës elektorale të 25 prillit pandemia, mjafton të shohim mbledhjen e pazhvilluar kurrë të Komitetit Teknik të Ekspertëve.