Këtë të hënë në Itali ka nisur testimi i parë tek njeriu për vaksinën e COVID-19, prodhuar në shtetin fqinj. Vullnetari i parë përzgjedhur nga 4000 të tillë mori dozën e parë të vaksinës në institutin e Romës, Lazzaro Spallazani një spital i specializuar për sëmundjet infektive.
Procesi parashikon se vullnetari në muajt në vijim do t’i nënshtrohet një seri kontrollesh të cilat do të jenë të domosdoshme për të verifikuar sigurinë e vaksinës e po ashtu do të monitorohen efektet anësore të saj.
“Personit të cilit i është injektuar vaksina do të monitorohet për 4 orë e më pas do të shkojë në shtëpi. Më pas ne do ta monitorojmë për 12 javët në vijim për të kontrolluar fazën e sigurisë, duke parë nëse kjo dozë do të ketë të tjera efekte, dhe nëse vaksina është e aftë të prodhojë antitrupa”, u shpreh Francesco Vaia, drejtori i spitalit “Lazzaro Spallanzani”
Eksperimenti i zhvilluar nga një grup kërkuesish në bashkëpunim me një kompani farmaceutike italiane do të kryhet tek 90 vullnetarë të ndarë në 2 grupmosha; 45 persona nga mosha 18 në 55 vjeç dhe 45 të tjerë të moshës 65 vjeç.
Rezultatet paraprake pritet të bëhen me dije në fund të vitit 2020. Presidenti i rajonit të Lazios, Nicola Zingaretti, e cilësoi testimin një hap të rëndësishëm të Italisë në luftën me virusin, por edhe një hap i rëndësishëm për mjekësinë italiane.
Kujtojmë se Italia është një nga vendet evropiane më shumë të prekur nga pandemia, teksa ka regjistruar më shumë se 35.000 viktima.