Puntata e sotme e “Pardon My French”, që erdhi nën moderimin e Elona Duros në Top Albania Radio, iu dedikua 4 prezantuesve të “Festivalit të Këngës”. Xhemi Shehu dhe Isli Islami dhuruan një bisedë shumë të këndshme në pjesën e parë të emisionit, teksa zbuluan edhe disa detaje rreth pjesëmarrjes së tyre në Festival.
Isli tregoi se ftesën e mori goxha herët por iu desh të mendohej pak. Pasi siç tregoi ai, edhe pse e dëshironte prej kohësh, kjo eksperiencë është shumë e rëndësishme dhe duhet menduar ftohtë.
“Ftesa nuk ka qenë as mesazh, as pëllumb nga Arditi. Më ka ardhur ftesa goxha herët. Është një lloj procesi që zgjat. U mendova shumë pak, jo se nuk doja. Jam rritur me Festivalin, e vlerësoj si institucion muzikor. Dëshira ishte aty. Më shumë për të kuptuar si ishte konceptuar. Për evente kaq të rëndësishme duhet të mendosh ftohtë. Dëshira ka qenë para ftesës.”
I pyetur se si është konceptuar Festivali këtë vit, Isli u shpreh se do të ketë shumë risi nga herët e tjera dhe se tre netët e tij janë konceptuar totalisht ndryshe nga njëra-tjetra.