Kur bëhet fjalë për këngëtaren Irma Libohova, gjithësecili që është adhurues i muzikës lidh kujtime të ndryshme nga jeta me këngët e saj. Në kaq dekada art dhe krijimtari Irma ka qëndruar gjithmonë aty me themelin e saj kryesor, zërin. Numëron një numër të pafundë çmimesh dhe pjesëmarrjesh në festivale të ndryshme, si edhe 8 albume të suksesshme, duke e shënuar veten si një ndër artistet e para në Shqipëri që ka publikuar albume të mirëfillta. Një pikë tejet e fortë e këngëtares ikonike është dhe shkrimi i teksteve të cilat përpos dashurisë kanë pasur frymëzim nga periudha të ndryshme zhvillimesh sociale, nga ngjarjet më të rëndësishme në trojet shqipfolëse, aktualiteti etj…
Vlen të theksohet se Irma Libohova ka qenë pjesëmarrëse që në edicionin e parë të “Kënga Magjike”, në vitin 1999, si edhe triumfuese në dy edicione të tjera. Përkatësisht në vitin 2000 me këngën “1000 ëndrra“ një duet me motrën e saj Eranda Libohova dhe në vitin 2004 me HIT-in “Prapë tek ti do të vij.” Ishte pikërisht viti 2004 që shenjoi një “fund kapitulli” për këngëtaren. Teksa gëzonte fitoren, Irma deklaroi se nuk do të merrte më pjesë nëpër festivale, një vendim të cilin e zbatoi me rigorozitet të paktën deri tani. Me sa duket vetë titulli “Prapë tek ti do të vij” “na e ka paraljmëruar fatin.” Me çfarë kënge, e tematike do të paraqitet ajo?! Përgatituni, sepse Irma Libohova do të ndajë magjinë e saj me ne, këtë të dielë. Një sekret: Gjithmonë qëndron një arsye, apo frymëzim shumë i madh pas rikthimeve të kësaj natyre.