Irani vazhdon të rrisë rezervat e uraniumit pak të pasuruar përtej kufizimeve të përcaktuara në marrëveshjen bërthamore, që ka nënshkruar Teherani me fuqitë botërorë, si dhe vazhdon ta pasurojë atë më shumë sesa i lejohet, ka thënë Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike më 11 nëntor.
Ky trup ka thënë se në raportin e tij të fundit është vërejtur se Irani deri më 2 nëntor ka krijuar rezerva prej 2,442.9 kilogramëve të uraniumit të pasuruar nga 2,105.4 kilogramë sa ishte raportuar më 25 gusht.Marrëveshja bërthamore e nënshkruar më 2015 mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Francës, Britanisë, Kinës dhe Rusisë, i mundëson Teheranit të krijojë rezerva për vetëm 202.8 kilogramë.
Shtetet e Bashkuara janë larguar nga kjo marrëveshje më 2018.
Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike ka raportuar se Irani ka vazhduar të pasurojë uraniumin me shkallë 4.5 për qind të pastërtisë, në krahasim me 3.67 për qind sa i lejohet me marrëveshjen bërthamore.
Kjo agjenci po ashtu ka thënë se sqarimet e Iranit për prezencë të materialit bërthamor në disa zona të padeklaruara në këtë shtet “nuk janë të besueshme”.
Pavarësisht pse autoritetet iraniane kanë ofruar disa informacione për këto zona “agjencia e ka informuar Iranin se vazhdon ta konsiderojë përgjigjjen e Teheranit si teknikisht jo të besueshme”, ka thënë raporti.
Ndonëse agjencia nuk ka identifikuar vendin me material bërthamor, burimet diplomatike kanë thënë se bëhet fjalë për rajonin.