Flet Silvio Pedrazzi, Drejtor i përgjithshëm, Intesa Sanpaolo Bank Albania
Intesa Sanpaolo Albania ka vendosur në mënyrë autonome të zgjasë të ashtuquajturën “periudhë pezullimi ose moratorium” deri më 31 korrik. Afati i 31 korrikut mund të zgjatet më tej për 3/6 muaj të tjerë, në varësi të evolucionit të situatës – tha Silvio Pedrazzi, drejtor i përgjithshëm i Intesa Sanpaolo Bank Albania. Ai u shpreh se, Bankat dhe klientët duhet të bashkëpunojnë për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme, për një afat të gjatë, është një qasje fituese për të dyja palët.
Cilat janë pozitat e sistemit bankar në situatën e re që ka krijuar pandemia COVID-19?
Mendoj se të gjitha masat e vendosura nga Banka e Shqipërisë dhe nga Qeveria janë në drejtimin e duhur, duke u përpjekur të parashikojnë ndikimet negative të krizës së COVID-19 në ekonominë shqiptare. Fatkeqësisht askush prej nesh nuk mund të parashikojë ndikimet reale që varen nga shumë faktorë si:
– Sa do të zgjasë situata e urgjencës, përpara se subjektet e ndryshme ekonomike të jenë në gjendje “të kthehen përsëri në normalitet” ose më saktë në një “normalitet të ri”.
– Koha dhe zhvillimi i ndryshëm i pandemisë në vendet e tjera pra në nivel botëror, me një fokus të veçantë në ekonomitë, të cilat kanë lidhje më të ngushta me Shqipërinë.
– Sjelljet e reja të mundshme te konsumatorët pas krizës
– Ndryshimet e thella në organizimin e punës që, për mendimin tim, të gjitha kompanitë dhe individët do të aplikojnë si p.sh. “Smart Working”
Duke thënë këto, do të përpiqem t’u përgjigjem të gjitha pyetjeve:
A kanë filluar kërkesat nga biznesi për ristrukturim të kredive sipas orientimeve të BSH-së?
Po, natyrisht. Ne po marrim shumë kërkesa çdo ditë. Shfrytëzoj rastin të informoj se Intesa Sanpaolo Albania (duke ndjekur një qasje të ngjashme të aplikuar në Itali nga Grupi intesa Sanpaolo) ka vendosur në mënyrë autonome: (i) të zgjasë të ashtuquajturën “periudhë pezullimi ose moratorium” deri në 31 korrik; Afati i 31 korrikut mund të zgjatet më tej për 3/6 muaj të tjerë në varësi të evolucionit të krizës (ii) të krijojë një plafond specifik deri në 50 mln euro për financime të reja, për të mbështetur personat juridikë në këtë periudhë të vështirë e plot pasiguri.
Nëse keni dijeni, çfarë natyre kanë kërkesat e klientëve?
Ka shumë kërkesa nga klientët që ndryshojnë për shkak të rrethanave në të cilat ata ndodhen. Individët, biznesi i vogël dhe Sipërmarrjet e Mesme mund të kenë nevoja të ndryshme p.sh. mungesë gjenerimi aktiviteti të ri, mbyllje e detyrueshme e përkohshme e aktiviteteve, vonesë në marrjen e pagesave, vështirësi në zinxhirin e furnizimit, si dhe domosdoshmëri për të mbështetur kanalet e shitjeve. Kjo është një nga arsyet pse ne vendosëm të zgjasim periudhën e Moratoriumit deri në korrik; gjatë këtyre muajve, ne do të përpiqemi të arrijmë te të gjithë klientët, për të identifikuar zgjidhjet e personalizuara për të gjithë ata.
A parashikojnë bankat ndikim në afatgjatë të këtij procesi?
Sigurisht që do të ishte gabim të zbatohej vetëm një strategji afatshkurtër; Bankat dhe klientët duhet të bashkëpunojnë për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme për një afat të gjatë… Është një qasje fituese (win-win) për të dyja palët.
Cilët klientë përfshihen? Të gjithë lejohen të kërkojnë këtë trajtim? (Klientë retail, biznes i vogël e biznes i madh)?
Po, ne nuk bëjmë asnjë dallim: të gjithë klientët që kanë arsye të justifikueshme do të përfitojnë nga pezullimi pa marrë parasysh nëse janë individë, biznes i vogël apo i madh.
A ka filluar procesi i aplikimit?
Duke filluar nga java e kaluar, ne po marrim shumë kërkesa përmes kanaleve të ndryshme duke filluar që nga shërbimi i Klientit, SMS dhe e-mail. Për ta bërë procesin më efikas Intesa Sanpaolo Bank Albania ka publikuar në website të saj (www.intesasanpaolobank.al) dhe në Rrjetet Sociale të Bankës informacion dhe Formularët e thjeshtë të Aplikimit për t’u plotësuar dhe për t’u dërguar në Bankë. Stafi ynë (shumica e tyre po punojnë nga shtëpia duke përdorur laptopë të përgatitur për “Smart Working”) përpunojnë në vijim kërkesën dhe të gjitha rastet e justifikuara miratohen.
Cilat janë arsyet për aplikim?
Siç thashë më parë, ka një larmi të madhe arsyesh për të aplikuar; një arsye më shumë për të vazhduar sipas strategjisë së lartpërmendur.
Çfarë përfiton klienti nga shtyrja e pagesave për periudhën në fjalë?
Klientët, gjatë “periudhës së pezullimit” dhe sipas udhëzimeve të Bankës së Shqipërisë, nuk ngarkohen me penalitete, tarifa dhe komisione. Këstet e papaguara, principalet dhe interesat e rregullta, do të shlyhen në momentin e dytë, pasi zgjidhja përfundimtare të arrihet dakord së bashku. Ka shumë të ngjarë që shumica e klientëve do të kërkojnë të zgjasin planin fillestar të riparimit, duke shtuar në fund këstin e papaguar. Për klientët e biznesit mund të merret në konsideratë një formë tjetër e ristrukturimit më komplekse.
Banka e shqyrton në detaje kërkesën e klientit dhe a mund të bjerë dakord me të për më shumë se sa kaq, nëse e gjykon të nevojshme?
Pothuajse të gjitha aplikimet e justifikuara për pezullim do të gëzojnë një lloj miratimi automatik, në rast nevojash specifike, Banka do t’i diskutojë ato individualisht. Krijimi i Plafondit prej 50 mln euro shkon pikërisht në atë drejtim, me shpresë se do të kombinohet me të gjitha masat e ardhshme mbështetëse nga Qeveria p.sh. garanci sovrane për pagesat e pagave.
Së fundmi, do të doja të falënderoja të gjithë punonjësit e Bankës, Qeverinë, Bankën e Shqipërisë dhe Klientët që deri më tani kanë treguar aftësi të shkëlqyeshme në përballimin e kësaj periudhe fatkeqe. Edhe duke qenë të vetëdijshëm se periudha të vështira janë para të gjithëve, jam padyshim i sigurt se të gjithë së bashku do ta kapërcejmë këtë sfidë./monitor.al