Ai është nga ata personazhe që vështirë i takon në ekranet shqiptare, Kelvi Kadilli, prezantuesi i ri i IN TV ka mundur të vihet re që në daljet e tij të para, jo vetëm për paraqitjen por edhe për zotësinë dhe kurajon për të sjellë në televizion diçka ndryshe nga sa jemi mësuar të shohim rëndom në emisionet televizive. Fillimisht nëpërmjet shkrimeve në blogun e tij dhe më pas me emisionin Vip Room në IN TV, Kelvi sfidoi paragjykimet me temat e nxehta, të konsideruara tabu në shoqërinë tonë. Sot, falë përkushtimit dhe besimit tek aftësitë e tij dhe këmbënguljes për të arritur edhe më lart, ai është një nga prezantuesit e rinj më premtues të televizionit shqiptar. Edhe pse ndodhej në një ditë pushimi pranë detit, me çiltërsinë që e karakterizon ai pranoi të ndante me ne disa minuta për të na treguar diçka më shumë rreth vetes dhe projekteve për sezonin e ri televiziv që nis në shtator.
https://www.youtube.com/watch?v=Nz_G8feoPgM
Na trego pak për veten, për fëmijërinë dhe hobitë që ke?
Nuk më pëlqen shumë të flas për veten, më pëlqen më shumë kur të tjerët flasin për mua. Kam dashur gjithmonë të jem në qendër të vëmendjes dhe ja kam arritur. Për shumë kjo gjë tingëllon narciziste (edhe pse nuk e kuptoj çfarë të keqe ka të jesh narcizist) por unë mendoj që çdo njeri duhet të ketë vetëbesim dhe të ulerasë me të madhe dëshirat e tij pa u ndikuar nga rrethanat dhe energjia negative e njerëzve. Kam besuar gjithmonë tek vetja ime dhe nuk ndaloj asnjëherë së kërkuari për t’u bërë një njeri më i mirë për veten dhe të tjerët. Fëmijëria ime ka qenë e mbushur me ëndrra dhe dëshira të cilat kanë qendruar shumë gjatë në kokën time deri sa erdhi momenti i duhur për t’i bërë realitet. Deri tani kam bërë shumë pak. Ka akoma shumë për të bërë… Hobi? Të jem i lumtur!
Si arrite në IN TV, si nisi ky rrugëtim?
IN Tv erdhi në kohën e duhur. Kam dashur gjithmonë që mendimet e mia të dëgjoheshin nga të gjithë. Gjithmonë më ka pëlqyer të flas pa filtra dhe të shkruaja për tema që për shumë konsiderohen tabu, gjithçka nisi në web. E dija që shume njerëz do gjenin veten tek shkrimet e mia dhe kështu ndodhi. Mora mbështetje maksimale nga shumë prej tyre. Kjo më bindi që isha gati për të dal në ekran për të folur lirëshëm për tema që nga shumë paragjykohen por ishin pikërisht këta të fundit që u bënë ndjekesit e mi më të mëdhenj. IN TV është i vetëmi televizioni që besoi tek une dhe i jam shumë mirënjohës.
Televizioni është një nga pasionet e tua apo një “trampolinë” për të arritur në një destinacion tjetër?
Unë jam i tillë! Gjithmonë mendoj në avancë dhe sigurisht që kjo që po bëj tani ka një synim për t’u rritur profesionalisht dhe për të shkuar gjithmonë e më lartë. Për të arritur këtë të fundit më duhet vetëm një kamera. Televizioni ka shumë kamera kështu që jam në vendin e duhur! (qesh).
Sa i paragjykuar ndihesh për atë çfarë t’i sjell në tv dhe sa ndikon kjo në jetën tënde.
Nëse jetojmë për aprovimin e të tjerërëve do të mbetemi gjithmonë të zhgënjyer. Paragjykime ka shumë por unë nuk ndihem i paragjykuar. Bëj atë që dua dhe jam i lumtur.
Cilat janë planet për këtë verë dhe për sezonin e ardhshëm televiziv?
Këtë verë po planifikoj sa më shumë gjëra të bukura për sezonin e ri. Sezoni i ardhshëm do të jetë i mbushur me surpriza edhe pse do kem pak kohë të marrë frymë por jam shumë entuziast! I love my job!
Ne të falënderojmë për intervistën dhe me siguri do jemi të “ngulitur” para tv për të të ndjekur.
Jam i sigurt për këtë. Faleminderit juve!
Intervistoi për InfoMedia Albania D. Sakuta / N. Lako
Foto: FB Kelvi Kadilli / Projekti grafik N. Lako