Numri i pajtimtarëve me akses në internet nga rrjetet fikse në tremujorin e tretë të 2020-ës arriti në 480 mijë, një rritje me 1.6% krahasuar me tremujorin e kaluar por një rritje me 17.3% krahasuar me një vit më parë.
Puna dhe mësimi nga shtëpia për shkak të pandemisë është një prej shkaqeve të kësaj rritjeje të ndjeshme sidomos nëse krahasojmë me të njëjtën periudhë vitin e kaluar.
277 mijë ishte numri i pajtimtarëve që kanë akses në shërbime të integruara si telefon, internet dhe televizor në tremujorin e tretë. Krahasuar me një vit më parë kemi të bëjmë me një rritje me 7.1%.
Ata që kanë paketa trefishe përbëjnë 38.2% të totalit të pajtimtarëve me paketa të integruara, 32.4% me paketa internet dhe telefon dhe 29.4% me paketa internet dhe televizor.
58% e pajtimtarëve me akses broadband nga rrjetet fikse ishin përdorues të paketave të integruara.
ALBtelecom mbetet operatori fiks më i madh i internetit broadband në Shqipëri edhe pse pjesa e tregut të kompanisë ka qenë në rënie të vazhdueshme. Në tremujorin e tretë kishte 131 mijë pajtimtarë, një rënie me 1.4% krahasuar me një vit më parë.
Operatori i dytë më i madh në vend ABCom blerë nga Vodafone shënoi një rritje me 21.7% krahasuar me një vit më parë në 89 mijë pajtimtarë. Tring Communication u rrit me 9.5% në 56 mijë pajtimtarë, Abissnet me 4.1% në 41 mijë pajtimtarë dhe Digicom me 22.1% në 21 mijë pajtimtarë.
Operatorët alternativë, kryesisht operatorë lokalë që operojnë në qytete të ndryshme shënuan rritje me 55.9%.