Të martën në ekranin e “Agon Channel”, gjatë programit “Antilope” është transmetuar një insert, i cili ka ngjallur reagime jo të pakta në rrjetet sociale. Inserti ishte përgatitur nga moderatorja Romina Ruda me fëmijët e një shkolle në kryeqytet, pak a shumë të moshës 7 deri në 13 vjeç. Romina i ka pyetur minorenët se si lindte fëmija, apo nëse ata e kishin diskutuar ndonjëherë këtë me prindërit e tyre. Një pyetje tjetër ishte nëse ata e kishin parë nëpër filma.
Siç mund të pritej fëmijët janë përgjigjur të ndrojtur dhe herë-herë edhe me buzën në gaz nga situata e krijuar. Mirëpo, ky insert nuk është parë me sy të mirë nga shumë fansa të Rominës në Facebook, të cilët i kanë cilësuar jo etike pyetjet për një moshë minorene si të fëmijëve të intervistuar.
Pas këtyre reagimeve ka reaguar vetë Romina me një status në Facebook, duke e cilësuar si diçka normale, pasi sipas saj i gjithë inserti solli një provë faktike se prindërit shqiptar nuk flasin me fëmijët e tyre rreth edukimit seksual, përderisa secili prej tyre me anë të mjeteve të fundit teknologjike i kishin mësuar më së miri. Ajo i ka cilësuar komentet negative si dashakeqe dhe krejt të panevojshme.
IMA / S. Dema