Ndërkohë që kritikët po debatojnë për një rrezik më të madh të monopolizimit të tregut online të kërkimit, Google po mundohet të bashkojë rreth vetes media të rëndësishme. Këtë vit, korporata ka lançuar një projekt të ri të quajtur Iniciativa e Lajmeve Dixhitale. Ky projekt synon të bashkojë mediat botërore, si The Guardian, Die Zeit dhe Financial Times në një grup pune për të promovuar gazetarinë në epokën dixhitale. Projekti shkaktoi një lëvizje në Europë, sidomos në Gjermani, ku Google-i ishte akuzuar për monopolizim dhe për përdorimin e ndaluar të përmbajtjeve të medias. Ne takuam Ralph Bremer, menaxherin e Google në Berlin, dhe biseduam për kompaninë dhe interesat e saj mediale.
“Iniciativa e Lajmeve Dixhitale synon t’i bashkojë mediat, në mënyrë që ato të krijojnë të ardhura më të mira në epokën e Internetit. Në veçanti, ato punojnë së bashku për të promovuar përmbajtjen e tyre në Google, dhe kjo do t’ju mundësojë të kenë trafik më të lartë online dhe të bëjnë më shumë para”, thotë Bremer.
Iniciativa ka bashkuar rreth njëqind organizata mediash nga e gjithë bota. Esenca e projektit është që mediat gjigande të punojnë bashkë për të krijuar aplikacione dhe produkte të tjera. Disa nga shembujt janë përdorimi i aplikacioneve për video në celularë dhe monetarizimi i përmbajtjeve nëpërmjet Google-search dhe reklamimit. Iniciativa gjithashtu do financojë inovacione dhe media të reja për t’u lançuar. Në vecanti, Google ka investuar 150 milionë Euro në grante për fillestarët e ndryshëm në fushën e gazetarisë.
“Në një muaj, vetëm mediat germane gjenerojnë më shumë se 500 milionë klikime. Megjithatë, është e vështirë për ta të konkurrojnë me rrjetet sociale”, thotë Bremer. “Prandaj, bashkëpunimi me Google mund të ndihmojë profesionistët e medias të rrisin numrin e vizitorëve dhe fitimeve, si edhe të testojnë platformën e re të zhvillimit.
Në të njëjtën kohë, kritikët e Google-it argumentojnë se iniciativa është një përpjeke për të përmirësuar imazhin a kompanisë, i cili është dëmtuar në Europën Perëndimore. Më parë, Google ishte akuzuar për monopolizimin e tregut të kërkimit (duke mbuluar më shumë se 90% të tij) si dhe për përdorimin e paautorizuar të informacionit në Google News. Mediat e mëdha e kritikuan kompaninë për shpërndarjen dhe për përdorimin e lajmeve të tyre në motorin e Google, kështu që njerëzit nuk kishin nevojë t’i vizitonin faqet e lajmeve më. Prandaj, shumë vetë janë skeptikë ndaj projektit të ri.
“Internetit i duhet përmbajtje gazetarie, kështu që ne vullnetarisht morëm pjesë në iniciativën e propozuar nga vetë punonjësit e medias. Është një nga projektet që ne filluam pa ditur qëllimin përfundimtar”, – thotë Bremer. “Iniciativa është e dobishme kryesisht për gazetarët të cilët, në vend të luftojnë me Google-in, mund të përfitojnë nga mundësitë që siguron. Në rast se mediat e mëdha bashkëpunojnë me këtë kompani, mund ta monopolizojnë tregun më shumë dhe të dobësojnë kundërshtarët më të vegjël të Google-it.
Bremer flet për bashkëpunim në shtete ku nuk ka media të lirë dhe ku ushtrohet shumë presion ndaj gazetarëve. “Në 2010, ne lançuam Raportin tonë të Transparencës që siguroi të dhëna për lirinë e Internetit në çdo vend. Në veçanti, ne e publikojmë informacionin se sa herë na është kërkuar për të siguruar të dhëna sensitive ose për të hequr burime të veçanta nga kërkimi”, thotë ai. Nëse qeveria ka një arsye të ligjshme, Google e siguron informacionin e kërkuar, dhe në rast se baza ligjore mungon, kompania refuzon. “Ne kemi rënë dakort për pothuajse 40-50% të kërkesave”, thotë Bremer.
Kjo politikë e Google-it ka çuar në kritika vazhdueshme, ndërkohë që kompania punon në shtete autoritare ku ligjet jo gjithmonë i mbrojnë të drejtat e njerëzve. Njëri nga shembujt është Kina, ku kompania operonte deri në vitin 2010 dhe iu dha autoriteteve informacionin e kërkuar, edhe në rastet kur kjo kishte lidhje me aktivistët politikë ose lirinë e fjalës. “Në Kinë ne kishim shumë probleme politike, kështu që ne e lamë atë treg. Është e vështirë të punosh kur Interneti nuk është i lirë. Kështu që ne filluam të bënim Raportin e Transparencës për të treguar nivelin e lirisë së Internetit në vende të ndryshme”, thotë Bremer.
Ndonëse Google e mbylli zyrën kineze, ai ende punon në vende të tjera autoritare dhe jo-demokratike ku mund japë disa informacione të rëndësishme në rast se autoritetet i kërkojnë. Ndërkohë, krijimi i Agjencisë së Lajmeve Dixhitale dhe përgjigja ndaj kritikave vërteton që kompania e kupton rëndësinë e informacionit në epokën dixhitale dhe nevojën që ta sigurojnë sa më shpejt të jetë e mundur për t’i bërë njerëzit të interesuar. Iniciativa e Google-it do ta lejojë kompaninë që të bashkojë mediat e mëdha të botës dhe në këtë mënyrë do të tërheqin më shumë përdorues. Natyrisht bashkëpunimi me Google nuk do të thotë se media nuk do ta kritikojë më kompaninë. Megithatë, fakti që një nga organizatat më me influencë në botë do që të financojë projekte mediash tregon që aftësia për të shpërndarë informacione më shpejt se të tjerët është shumë e rëndësishme në botën e biznesit. Edhe për gjigandë si Google-i.
Burimi: Botuar në EJO ukrainase:
http://ua.ejo-online.eu/2520/медіаекономіка/бізнес-моделі-для-медіа-5/digital-news-initiative-як-google-змінює-медіабізнес
Photo Credit: Flickr, Carlos Luna
Nga Anna Romandash