Një infermier i cili është vaksinuar me vaksinën e “Pfizer” më 18 dhjetor ka rezultuar përsëri pozitiv me Covid-19. 45-vjeçari nga San Diego u shpreh se pasi bëri vaksinën kundër koronavirusit nuk pati efekte anësore, vetëm dhimbje krahu, ndërkohë që vijoi punën normalisht me pacientët e prekur nga virusi.
Megjithatë 6 ditë më vonë ai shfaqi simptomat kryesore të Covid-19, temperaturë, dhimbje muskulore dhe lodhje. Pas bërjes së testit ai rezultoi se ishte pozitiv, pavarësisht se kishte gati një javë që kishte marrë vaksinën. Lidhur me këtë rast ka folur Christian Ramers, specialisti i sëmundjeve infektive në Qendrat Shëndetësore në San Diego, i cili tha ndër të tjera se vaksinat nuk krijojnë në mënyrë të menjëhershme mbrojtje të pacientit:
“Ne e dimë nga provat klinike të vaksinës që do të duhen rreth 10-14 ditë që ju të filloni të zhvilloni mbrojtje nga vaksina,”
Sipas tij, edhe pas atyre ditëve, pacientët ende kanë nevojë për një dozë të dytë vaksine për mbrojtje të plotë.